Shkruan: Prim. Dr. Lidija Spasova
Pediatre
Dëmtimi i dëgjimit tek fëmijët mund të ndikojë negativisht në zhvillimin e tyre psikomotorik. Për shkak të kësaj, por edhe për faktin se një në 300 të porsalindur vuan nga humbja e dëgjimit (nga e lehtë, në të moderuar deri në të rëndë), zbulimi i hershëm i dëmtimit dhe ndërhyrja e shpejtë me trajtimet janë dy elementët kryesorë që do t’i japin fëmijës mundësi më të madhe të zhvillimit normal të të folurit dhe gjuhës.
Shumë fëmijë që kanë pasur humbje të dëgjimit në të kaluarën janë diagnostikuar me zhvillim të vonuar, pikërisht sepse dëmi nuk është zbuluar në kohën e duhur. Për shkak të këtij fakti, ndër të tjera, pasi lindjes së fëmijës, është i nevojshëm ekzaminimi për të kontrolluar dëgjimin e foshnjës.
ZBULIMI NË KOHË
Testi i parë bëhet 48 orë pas lindjes, kështu që praktikisht i dërgojmë fëmijët në shtëpi me një listë kompjuterike në të cilën janë rezultatet e skriningut. Pajisja ka një pjesë që futet në veshin e fëmijës, ndërsa testimi është pa dhimbje dhe jo i rrezikshëm për shëndetin. Nëse rezultati është negativ pas skriningut të parë, ai përsëritet edhe për disa herë. Nëse edhe gjatë përsëritjes vihet re se fëmija nuk dëgjon, ne e dërgojmë atë në qendrën audiologjike, në të cilën kujdesen për trajtimin e këtyre fëmijëve. Fatkeqësisht, shumë fëmijë në të kaluarën janë diagnostikuar me zhvillim të vonuar ose autizëm, por më vonë është zbuluar se një numër i tyre ishin me dëgjim të dëmtuar.
Nëse dëgjimi i dëmtuar zbulohet herët, atëherë me ata fëmijë veprohet ndryshe.
Si ndikon dëgjimi në zhvillimin e të folurit dhe të gjuhës?
Të folurit paraqet aftësinë për të shprehur mendime, emocione dhe ide abstrakte përmes fjalëve të shqiptuara. Gjuha është sistem simbolesh përmes të cilave njerëzit komunikojnë. Periudha kritike gjatë së cilës fëmijët me dëgjim normal mësojnë të folurit dhe gjuhën është mosha një vjeçare. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme të zbuloni ndonjë dëmtim në kohën e duhur. Për më tepër, do të jetë e mundur t’i përgjigjet me kohë trajtimit ose implanteve kokleare.
SHKAKTARËT DHE RREZIQET
Ekzistojnë një numër shkaktarësh që mund të shkaktojnë humbje të dëgjimit te fëmijët. Ato ndahen në disa grupe.
Kështu, në periudhën para lindjes, derisa foshnja është në barkun e nënës, dëgjimi mund të dëmtohet nga faktorë gjenetikë ose trashëgues, nga shkaqet infektive siç janë infeksionet gjatë shtatëzanisë, për shkak të toksinave ose medikamenteve të ndryshme të marra nga nëna, ose për shkak të presioneve mekanike ndaj fetusit.
Gjatë lindjes fëmija mund të ketë probleme dëgjimi për shkak të asfiksisë fetale (mungesë oksigjeni), lindje të zgjatur, hemorragji intrakraniale – gjakderdhje në tru, bilirubin mbi kufirin optimal, lindje të parakohshme, peshë të ulët të lindjes.
Shkaqet pas lindjes mund të përfshijnë infeksione të strukturave të trurit, infeksione të veshit të mesëm, fruthi, përdorimi i ilaçeve toksike të veshit, lëndime, ekspozimin ndaj zhurmave shumë të larta. Zakonisht, sipas përvojës, si problem shfaqen ilaçet ototoksike.