Prim. Dr. Meri Boshkovska: Fëmijët, kompjuterët dhe interneti – cili është kufiri midis dobisë dhe rrezikut?

Kompjuterët dhe interneti janë të nevojshëm, mirëpo çështja nuk është se nëse fëmijët duhet t'i përdorin ato, por se si të kontrollojmë se sa kohë dhe kur duhet të lejohet përdorimi i tyre.

Shkruan: Prim. Dr. Meri Boshkovska

psikiatër për fëmijë dhe të rinj


Jetojmë në një kohë të zhvillimit të informatikës, të rrethuar nga pajisje elektronike: TV, kompjuterë, laptopë, telefona celularë, video lojëra, tablet… Këto teknologji janë bërë të përditshme në jetën tonë dhe përdoren si nga të rriturit ashtu edhe nga fëmijët. Bota në të cilën rriten fëmijët e sotëm është shumë e ndryshme nga ajo në të kaluarën. Pajisjet elektronike janë e përditshmja e tyre dhe fëmijët thjesht janë të okupuar me to. Ato ofrojnë shumë mundësi për argëtim, lojë, zhvillim të aftësive të caktuara, lehtësimin e qasjes të informacionit, shoqërimin, por gjithashtu mund të sjellin shumë rreziqe nëse koha e kaluar para tyre është e gjatë. Për këtë arsye është futur termi screen time (që do të thotë koha e kaluar para ekraneve), domethënë koha totale e kaluar para ndonjë prej këtyre ekraneve, qoftë televizion, kompjuter, laptop, celular.

PARA EKRANEVE QË NË MOSHË TË VOGËL 

Ka studime në të gjithë botën se sa kohë kalojnë fëmijët para ekraneve dhe çfarë pasojash mund të ketë mbi zhvillimin, nëse përdoren në mënyrë të pakontrollueshme. Rezultatet kanë treguar se parashkollorët kalojnë 2 deri në 7 orë në ditë, mesatarisht 2 deri në 2.6 orë, ose çdo i dyti fëmijë nga mosha 2 deri në 4 vjeçare përdor internetin në 50 përqind të rasteve. Fëmijët e vegjël shikojnë çdo ditë filma vizatimor ose të animuar, luajnë lojëra në tablet ose në celular. Disa prindër i lënë fëmijët e tyre që prej 6-7 muajsh para TV, dhe kështu përfundojnë punët e tyre ose “blejnë paqen e tyre”. Kështu që, fëmija që në moshë të vogël shikon në ekran ngjyrat dhe imazhet që ndryshojnë, duke mos pasur asnjë përfitim nga kjo gjë. Prindërit ndoshta nuk dinë ose nuk i mendojnë pasojat.

Çdo i dyti fëmijë nga mosha 2 deri në 4 vjeçare përdor internetin në 50 përqind të rasteve

PROBLEME ME TË FOLURIT

Truri i fëmijëve të vegjël më së miri zhvillohet në tre vitet e para të jetës, dhe gjatë kësaj periudhe ndërveprimi dhe stimulimi i fëmijës me mjedisin, veçanërisht me prindërit përmes lidhjes emocionale të hershme, është shumë i rëndësishëm. Të folurit stimulohet në këtë mënyrë, fëmija sheh, dëgjon dhe reagon derisa dikush i flet, imiton tinguj, njeh objekte, tregon atë që dëshiron.

Rreth 50-60 përqind e çrregullimeve të të folurit tek fëmijët parashkollorë mund të jenë rezultat i kohës së gjatë të kaluar para ekraneve, kur fëmija dëgjon një gjuhë të huaj, zakonisht anglisht, fëmija tashmë fillon edhe ta flet, duke bërë që gjuha amtare të zhvillohet më ngadalë ose gabimisht shqiptohen tinguj të caktuar, të cilët më vonë në shkollë do të rezultojnë me vështirësi në të mësuarit.

Nga problemet e mbetura që mund të hasen gjatë kësaj periudhe janë hiperaktiviteti dhe problemet më vëmendjen që mund të përfaqësohen nga 3 deri në 10 përqind. Profesionistët tregojnë se fëmijët deri në moshën dy vjeçare nuk duhet të ekspozohen ndaj asnjë ekrani të vogël, ndërsa këto janë edhe rekomandimet e Shoqatës Amerikane të Pediatrisë.

VARËSI E RREZIKSHME NGA VIDEO LOJËRAT

Hulumtimet tregojnë se fëmijët e shkollës kalojnë deri në shtatë orë para ekraneve, duke luajtur lojëra që shpesh janë plotë me dhunë, gjuajtje, luftime, gjë që i tërheq fëmijët në botën virtuale dhe me orë të tëra janë para kompjuterave. Qëndrimi jokritik para ekraneve mund të çojë në varësi nga video lojërat, të cilat mund të sjellin efekte të menjëhershme dhe me ndikim të gjatë për shëndetin mendor. Nëse fëmija nuk ka dëshirë të shoqërohet me fëmijë të tjerë, refuzon të luajë, të shëtis, ka vëmendje të dobët, nuk është i interesuar për mësim, irritohet dhe tërbohet kur kufizohet ose kur prindërit e largojnë nga kompjuteri, atëherë mund të konkludojmë se ka varësi nga video lojërat. Profesionistët argumentojnë se video lojërat janë varësi dhe se këto probleme tek fëmijët duhet të merren seriozisht. Nëse prindërit vërejnë disa nga këto ndryshime në sjelljen e fëmijës së tyre, është mirë që të kërkojnë ndihmë në kohën e duhur.

Truri i fëmijëve të vegjël më së miri zhvillohet në tre vitet e para të jetës, dhe gjatë kësaj periudhe ndërveprimi dhe stimulimi i fëmijës me mjedisin, veçanërisht me prindërit përmes lidhjes emocionale të hershme, është shumë i rëndësishëm.

PREOKUPUAR ME BOTËN ONLINE

Në periudhën e pubertetit dhe adoleshencës, këto teknologji bëhen edhe më të përhapura. Fëmijët edhe në këto periudha shikojnë video të ndryshme, luajnë lojëra, kërkojnë informacione, mësojnë, komunikojnë përmes rrjeteve sociale… Rreziqet e internetit gjatë kësaj periudhe lindin nga ekspozimi i përmbajtjes së papërshtatshme të adoleshencës ose ngacmimit në internet (syber bullying) ndaj bashkëmoshatarëve ku përmes rrjeteve sociale shpërndahen informacione, të vërteta ose të rreme, nga ku individi mund të dëmtohet.  Edhe në këto raste, prindërit shpesh nuk janë të vetëdijshëm për atë që bëjnë fëmijët e tyre, çfarë mesazhe shkruajnë, çfarë fotografojnë, ku i dërgojnë, pasiqë ata ose nuk kanë kohë ose nuk mendojnë për rreziqet e mundshme. Shumë prindër, për shkak të injorancës dhe papërvojës së tyre në fushën e kompjuterëve, ndjehen të pasigurt dhe të pafuqishëm dhe nuk dinë si të veprojnë. Fëmijët që surfojnë vazhdimisht në internet, luajnë lojëra ose janë në rrjete sociale, me kalimin e kohës humbin interesin për shkollën dhe mësimin, kanë probleme me gjumin, përqëndrimin dhe të mbajturit mend, refuzojnë të shkojnë në shkollë. Arsyeja për këtë është mungesa e motivimit, mosinteresimit dhe mungesës së vullnetit për të mësuar, por gjithashtu mund të jetë edhe shpëtim nga disa probleme që kanë të bëjnë me shkollën.

PINDËRIT TË PËRFSHIHEN NË JETËN E FËMIJËVE DHE TË GJENDET NJË MASË E PËRSHTATSHME 

Si mund ta rregullojnë prindërit kohën e kaluar para ekraneve? Është e rëndësishme që ata të përfshihen në jetën e fëmijëve. Ata duhet të gjejnë kohë për të qenë me fëmijën e tyre, ndërsa interneti dhe kompjuteri nuk duhet të jenë zëvendësues për këtë. Refuzimi i plotë nuk është zgjidhje, zgjidhja e duhur është të gjesh masën e duhur. Nevojiten rregulla të qarta për përdorimin e kufizuar të kompjuterëve dhe internetit, si dhe monitorimin e asaj që fëmija juaj shikon në rrjetet globale ose çfarë bën para kompjuterit.

INTERNETI – MJET MËSIMI

Vendosni kompjuterin në dhomën e ndenjes, jo në dhomën e fëmijëve, në mënyrë që të mund të monitoroni fëmijën, inkurajoni përdorimin e internetit si mjet mësimi dhe shoqërimi, jo vetëm për lojë dhe argëtim, mësojini fëmijës të mos u përgjigjet mesazheve të dhunshme, kërcënuese ose mesazheve të dyshimta. Kompjuterët janë të nevojshëm dhe çështja nuk është nëse fëmijët duhet t’i përdorin ato, por si të kontrollojmë se sa kohë dhe kur duhet të lejohen të jenë para tyre.

Sa kohë duhet të kalohet para ekraneve?

Organizata Botërore e Shëndetit rekomandon që fëmijët deri në moshën 2 vjeçare të mos përdorin ekrane të vegjël, ndërsa deri kur të nisin në shkollë të paktën dy orë në ditë. Fëmijët parashkollorë, në vend që të qëndrojnë para ekraneve të vogla, më e dobishme qështë që kohën ta kalojnë duke u marrë me sport, në këndin e lojërave, ndërsa mbi të gjitha në lojë spontane, të lirë dhe të pa strukturuar dhe sigurisht në kohë cilësore me prindërit.