Prim. Dr. Sadika Bilush: Ju mundoni gastriti? Ja si mund të ndihmoni veten

Një nga sëmundjet "më të njohura" të sistemit të tretjes është gastriti. Në fakt, është sëmundje që pothuajse të gjithë e kemi, vetëm se dikushi arrin ta menaxhojë atë nëpërmjet ushqimit.

Shkruan: Prim. Dr. Sadika Bilush

Internist – Gastroenterolog


Dhimbjet e lukthit dhe shqetësimet digjestive janë çrregullimet më të zakonshme që mjekët e përgjithshëm, si dhe gastroenterologët i hasin tek pacientët.

Ka shumë arsye pse këto probleme shfaqen, ndërsa shpesh përmenden si sëmundje të mënyrës moderne të të jetuarit dhe stresit. Një nga sëmundjet “më të njohura” të sistemit të tretjes është gastriti. Në fakt, është sëmundje që pothuajse të gjithë e kemi, vetëm se dikushi arrin ta menaxhojë atë nëpërmjet ushqimit.

VETË ORGANIZMI KËRKON TERAPI

Aciditeti varet nga gjinia, mosha dhe predispozita gjenetike. Sekretimi i acidit mund të rritet, ndërsa personi nuk ndjen asnjë simptomë. Ata që vuajnë nga gastriti duhet të marrin disa vakte ushqimi në ditë. Më të mirat janë ato ilaçe që e neutralizojnë thartirën – ilaçet antacide, dhe se ushqimi është antacidi më i mirë konfirmon faktin që një person shpesh zgjohet gjatë natës për shkak të acidit me dëshirë të papërshkrueshme për ushqim. Pikërisht kështu, vetë trupi kërkon terapi. Në këtë rast nuk duhet të konsumohet ushqim me yndyrë, ushqim i nxehtë ose i thartë, ose cigare, kafe, apo alkool. Produktet e qumështit për shkak të sasive të larta të kalciumit mund të shkaktojnë rritjen e sekretimit të acidit, por në sasi të vogla ato nuk janë të dëmshme.

Kur gastrit sulmon, është më mirë të konsumoni ndonjë kreker ose diçka të lehtë. Në rast ulçerash rekomandohet gjithashtu ushqimi i lehtë dhe mesdhetar.

Dhimbjet gjatë gastritit shpesh nuk janë intensive, ndërsa sëmundja është e rrezikshme sepse mund të çojë në sëmundjen e ulçerës së lukthit, ose ulçerë të zorrës dymbëdhjetgishtore, e cila është më pak e rrezikshme se ajo e lukthit, pasi ajo nuk zhvillohet asnjëherë në formë malinje. Këto dy sëmundje kanë shkaktarë dhe simptoma shumë të ngjashme, dhe është e vështirë për t’i dalluar vetëm në bazë të pamjes klinike, por për diagnozë të saktë është e nevojshme endoskopia ose imazhet me rreze X.

Ulçera e lukthit gjithmonë duhet të kurohet dhe kontrollohet, në mënyrë që gastroskopia të kryhet të paktën një herë në vit.

Praktika ime është që sa herë zbuloj ulçerën, detyrimisht bëj biopsinë, madje edhe nëse bëhet fjalë për diçka të vogël, në mënyrë që të shihet se çfarë përmbajnë lezionet, dhe nëse ka ndonjë indikacion për malinjitet.

Një nga ndërlikimet e ulçerës është gjakderdhja, e cila mund të çojë në vdekje brenda një ore. Prandaj, reagimi i shpejtë i mjekut është thelbësor. Për diagnostikimin e ulçerës ose gastritit, duhet të bëhet gastroskopia dhe biopsia e infeksionit të bakterit Helicobacter pylori.

Ndjenja e djegies, ose dhimbja djegëse në pjesën e përparme të barkut, është simptoma më e zakonshme e ulçerës së lukthit dhe mënyra më e lehtë për ta njohur atë. Për dallim nga ulçerat, kanceri nuk “dhemb” shumë gjatë. Fatkeqësisht, kanceri nuk dhemb shumë, ndërsa nga simptomat më të dukshme janë ato si humbja e oreksit, kiloramët, fuqia… Ata persona që kanë predispozitë gjenetike për zhvillimin e këtyre sëmundjeve, pas moshës 40 vjeçare, duhet të shkojnë një herë në vit në ekzaminime parandaluese, ultratinguj dhe gastroskopi.

Pothuajse 50% e të gjitha sëmundjeve gastroenterologjike vuajnë nga sindroma e zorrës së irrituar

Edhe pse gastriti shpesh përmendet si pengesa më e zakonshme gastroenterologjike, ajo në fakt nuk është!

Ekziston sindromi i zorrës së irrituar që shfaqet si siklet me një farë ankthi, me ngërçe të pasuara nga djersitja, nauzea, aciditeti i rritur dhe nganjëherë zbrazja e përshpejtuar e zorrëve.

Është interesant fakti se kjo sëmundje është e pranishme në pothuajse 20 përqind të popullatës së përgjithshme, ndërsa pothuajse 50% e të gjitha sëmundjeve gastroenterologjike vuajnë nga sindroma e zorrës së irrituar

Për të caktuar diagnozën, duhet të përjashtohen edhe sëmundjet tjera, siç është gastriti. Atë e shkaktojnë shumë faktorë si stresi psikologjik, faktorë mjedisorë, ushqimi, pagjumësia dhe rritja e aciditetit. Gjithashtu është e dobishme që në këtë gjendje të hani shëndetshëm dhe të jeni aktiv fizikisht. Në trajtimin e këtij sindromi përdoren barna të caktuara, të tilla si spazmolitikët, por nganjëherë edhe ilaqet kundër depresionit.