Bakteret të cilat tashmë janë rezistente ndaj antibiotikëve të zakonshëm, janë bërë rezistente edhe ndaj xhelit të duarve nëpër spitale, të cilat kanë për bazë alkoolin, konfirmuan shkencëtarët australianë.
Eksperimentet e kryera në Universitetin e Melburnit e kanë identifikuar këtë problem tek Enterococcus faecium, baktere e cila është përgjegjëse për 10% të infeksioneve spitalore në mbarë botën.
Shkaku i rezistencës ndaj xhelit të duarve është mutacioni i gjeneve shoqëruar me metabolizmin qelizor, i cili çon në ndryshimin e membranave qelizore dhe në rritjen e rezistencës ndaj aktivitetit të alkoolit.
Në Evropë dhe në Amerikën e Veriut, Enterococcus faecium është shkaktari i katërt më i zakonshëm i sepsës, ndërsa sipas të dhënave të SHBA-së, forma rezistente mbart rreth 1.000 jetë në vit.
Rezultatet e hulumtimit të ri janë botuar në revistën shkencore “Science Translational Medicine”.