Prof. Dr. Daniela Shukova-Stojmanovska: Yndyrnat, vitaminat dhe mineralet – roli dhe rëndësia e tyre në metabolizmin e sportistëve!

Sportistët kryesisht duhet të zgjedhin, yndyrnat me origjinë bimore; kur janë vitaminat në pyetje, vitaminat A, B1, PP dhe C mund të rritin drejtpërdrejt efektivitetin e stërvitjes dhe të përmirësojnë formën sportive. Vëmendje duhet t'u kushtohet edhe mineraleve, si natrium, kalium, kalcium, magnez, fosfor, hekur dhe jod, për shkak të rolit dhe rëndësisë së tyre në metabolizmin e sportistit, si dhe për shkak të harxhimit më të madh të tyre gjatë stërvitjes.

Yndyrnat gjithashtu janë pjesë e rëndësishme e të ushqyerit, kryesisht për shkak se ata e ndërtojnë membranën e secilës qelizë, por janë të domosdoshme edhe për funksionimin e steroideve (testosteronit) dhe hormoneve seksuale femërore (estrogjenit dhe progesteronit), por edhe për vitaminat liposolubile (vitamina të tretshme në yndyrë) – A, D, E dhe K. Marrja e tyre mund të shkojë deri në 25-30% të konsumit total të energjisë, por vetëm për shkak të vlerës së tyre të lartë kalorike (1 gram yndyrë jep 9 kcal).

Shkruan: Prof. Dr. Daniela Shukova-Stojmanovska, Fakulteti i Edukimit Fizik, Sportit dhe Shëndetit, Shkup

Sportistët kryesisht duhet të zgjedhin vajra të origjinës bimore, si: fruta të thatë (arra, bajame, lajthi, kikirikë), të paktën 2 deri 3 lugë në ditë të ndonjërit prej vajrave në sallatë (vaj luledielli, vaj ulliri, misri, liri ose vaj nga farat e rrushit), por edhe vaj peshku – për shkak të acideve yndyrore omega-3.

VITAMINIAT

Vitamina B1 hyn në përbërjen karboksilazës, e cila mundëson dekarboksilimin e acidit piruvik (metabolizmi i sheqernave), vitamina B2 merr pjesë në ndërtimin e fermentit të verdhë të frymemarrjes, vitamina B6 është burim i enzimave pjesëmarrëse në pre-aminimin, pre-sulfimin etj., (metabolizmi i proteinave), vitamina C është pjesë përbërëse e lipazës (metabolizmit të yndyrnave), vitamina A merr pjesë në sintezën e pigmentit viziv (rodopsina), vitamina D merr pjesë në ndërtimin e kockave përmes pjesëmarrjes në metabolizmin e kalciumit dhe fosforit. Sipas Katch; F. I., McArdle W.D. (1993), në kushte të temperaturave të ulëta, organizmi ka kërkesa të rritura të vitaminave A, B dhe C, në kushte të mbinxehjes – të vitaminës B1 dhe C, me konsumin e rritur të karbohidrateve tek të ushqyerit nevojitet më shumë vitaminë B1, por me rritjen e aktivitetit fizik shtohen kërkesat për vitaminat B1, PP dhe C. Vitaminat A, B1, PP dhe C mund të rritin drejtpërdrejt efektivitetin e stërvitjes dhe të përmirësojnë formën sportive.


MINERALET

Mineralet hyjnë në përbërjen e disa lëndëve ushqyese. Për shembull, sulfuri, hekuri, fosfori – hyjnë në përbërjen e proteinave të citoplazmës, fosfori – në lipoidet, hekuri – në hemoglobinën dhe mioglobinën, jodi – në hormonet e gjëndrës tiroide, kalciumi dhe fosfori – në strukturën e eshtrave, fosfori merr pjesë në proceset glikolitike dhe oksidative, kalciumi dhe magnezi marrin pjesë në irritimin neuromuskular, etj. Mungesa e mineraleve në ushqim çon në çrregullimin e funksioneve në organizëm. Por vëmendje kryesisht duhet t’i kushtohet: natriumit, kaliumit, kalciumit, magnezit, fosforit, hekurit dhe jodit, për shkak të rolit dhe rëndësisë së tyre në metabolizmin e sportistëve, si dhe për shkak të harxhimit më të madh të tyre gjatë stërvitjes.