Shkruan: Prof. Dr. Donço Donev
Instituti i Mjekësisë Sociale, Fakulteti i Mjekësisë, Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi” – Shkup
Në 10 vitet e fundit ose më shumë, në takimet profesionale ndërkombëtare në fushën e biomjekësisë dhe shëndetit publik, si dhe në literaturën profesionale, përkufizimi i shëndetit, i paraqitur në Statutin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, gjithnjë e më shumë plotësohet nga dimension i katërt – shëndeti shpirtëror apo spiritual.
Në kuptimin e përgjithshëm, shëndeti shpirtëror përfshin ndjenjën e përmbushjes dhe kënaqësisë nga vetë jeta, vlerave pozitive, vetëbesimit dhe vetëvlerësimit, paqes dhe qetësisë dinamike me ekuilibrin emocional, të brendshëm dhe ndaj mjedisit, moralin dhe vërtetësinë, bujarinë, emocione pozitive, mbështetje dhe gatishmëri për të ndihmuar njerëzit e tjerë, përgjegjësinë dhe kontributin ndaj të mirës së përbashkët, si dhe menaxhimin e suksesshëm të problemeve dhe kërkesave të jetës së përditshme dhe stresit social.
Inteligjenca, potenciali emocional dhe shpirtëror janë komponentë përbërës të shëndetit shpirtëror, i cili në një kuptim më të gjerë është sinonim për njerëzimin dhe integritetin e përgjithshëm të një personi. Niveli i ulët i potencialit shpirtëror të një individi është baza për të manifestuar një numër të tipareve negative të personalitetit, duke shkaktuar dëm tek njerëzit tjerë, në sistemin e vlerave në komunitetin më të gjerë dhe në të mirën e përbashkët.
Shëndeti është një nga elementet dhe atributet më të rëndësishme të jetës sonë, parakusht për kryerjen e aktiviteteve të përditshme dhe në përgjithësi për një jetë cilësore, të përmbushur dhe të lumtur. Idetë për të kuptuar shëndetin, ndoqën zhvillimin e shoqërisë dhe mendimin shkencor mjekësor në tërësi. Që nga kohët e lashta, shumë përpjekje janë bërë për të shpjeguar dhe përcaktuar shëndetin në një mënyrë më të plotë.
Koncepte për shëndetin në periudhën e lashtë
Koncepti për shëndetin si ekuilibër midis njeriut dhe mjedisit të tij, unitetit të shpirtit dhe trupit dhe prejardhjes natyrore të sëmundjes, krijojnë thelbin e kuptimit të lashtë të shëndetit. Kuptime të ngjashme ekzistonin edhe në mjekësinë antike indiane.
Pindari, në shekullin e V-të para erës sonë, e definoi shëndetin si “funksionim harmonik të organeve”, duke e vënë theksin tek dimensioni fizik i shëndetit, tek trupi fizik dhe funksionaliteti i përgjithshëm, shoqëruar nga ndjenja e lehtësisë dhe mungesës së dhimbjes, që edhe sot ka kuptimin e saj si parakusht për mirëqenien e përgjithshme të shëndetit.
Platoni vuri në dukje se një shoqëri njerëzore e përsosur mund të arrihet përmes harmonizimit të interesave të individit dhe komunitetit, ndërsa ideali i filozofisë së vjetër greke i “shpirt i shëndetshëm në trup të shëndetshëm” mund të arrihet nëse një person krijon harmoni të brendshme dhe harmoni me mjedisin fizik dhe social. Sipas mësimeve të Aristotelit, njeriu është qenie shoqërore nga vetë natyra e tij, me prirjen për të jetuar në komunitete dhe me detyrimin që t’i bindet normave morale dhe rregullave etike, për të rregulluar marrëdhëniet në jetën shoqërore për shkak të funksionimit harmonik dhe zhvillimit të shoqërisë dhe ruajtjen e shëndetit e anëtarëve të tij.
Hipokrati gjithashtu e lidhi shëndetin me faktorët e mjedisit dhe mënyrën e jetesës. Hipokrati u çlirua nga besëtytnia dhe u quajt “babai i mjekësisë”, sepse ndihmoi shëruesit të bëheshin mjekë. Hipokrati është krijuesi i konceptit të “shëndetit pozitiv”, i cili varet nga kushtetuta primare njerëzore (që sot e quajmë gjenetike), mënyrën e të ushqyerit dhe ushtrimet fizike. Ai besonte se ushqimi i duhur dhe ushtrimet fizike janë të nevojshme për shëndetin dhe se klima ka një ndikim të thellë në gjendjen e shpirtit dhe shëndetit të njeriut.
Koncepte bashkëkohore për shëndetin
Koncepti filozofik dhe mendor-higjenik i shëndetit nënkupton aftësinë maksimale të individit për vetë-realizimin dhe vetë-arritjen, duke i marrë parasysh edhe anët e forta dhe mundësitë njerëzore, si dhe ndjenjën e kënaqësisë ose pakënaqësisë në marrëdhëniet e tij me mjedisin.
Qasja sociale dhe publike e shëndetit ndaj shëndetit tregon se nuk duhet të vëzhgojmë vetëm shëndetin e individit, por shëndetin e grupeve dhe të komunitetit si rezultat i ndërveprimit të individit me mjedisin shoqëror.
Koncepti holistik i shëndetit gjendet në shprehjen e tërësisë (ang. plotësisht, tërësisht).
Sipas këtij koncepti, shëndeti i njeriut duhet të monitorohet në kuptimin e:
- Kompleksitetit dhe shumëdimensionalitetit;
- Mungesës së sëmundjes dhe invaliditetit;
- Ekuilibri i brendshëm dhe ekuilibri me mjedisin;
- Ndjeshmëria psikologjike pozitivisht e valorizuar
Sipas konceptit holistik, çdo qenie njerëzore është një tërësi e integruar, një individ i vetëm dhe i tërë, i cili ka forcë vitale ose jetësore që funksionon si tërësi dhe është në raport me mjedisin dhe universin që na rrethon.
Kohët e fundit, kur flitet për shëndetin, definohen dy përmasa të shëndetit, të cilat janë të rëndësishme për individin dhe komunitetin: ekuilibri shëndetësor dhe potenciali shëndetësor.
Ekuilibri shëndetësor nënkupton ruajtjen e ekuilibrit fizik, mendor dhe social, ndërsa potenciali shëndetësor është parakusht thelbësor për ekuilibrin shëndetësor, ndërsa paraqet aftësi ose një lloj të veçantë ndërveprimi mes individit dhe mjedisit të tij, i cili është i nevojshëm për ruajtjen e ekuilibrit ose, të vendoset përsëri nëse është ndërprerë. Burimet shëndetësore dhe rreziqet shëndetësore janë faktorë të shumtë që ndikojnë në ekuilibrin shëndetësorë, si për mbështetjen dhe forcimin e saj – burimet shëndetësore, ashtu edhe për rrezikun dhe çrregullimin e tij – rreziqet shëndetësore.
Modeli salutogjenetik merret me lidhjet midis shëndetit, stresit dhe tej të tij. Si faktor kyç të salutogjenezës, Antonovski sugjeron ndjenjën e koherencës ose integritetit të personalitetit (Sense of coherence). Perspektiva salutogjeneze mbi origjinën e shëndetit çon në anulimin dikotominë shëndet-sëmundje dhe presupozon pozicionin e kontinumit shëndet-sëmundje në të cilën gjendet çdo individ gjatë gjithë jetës së tij, më afër shëndetit ose më afër sëmundjes. Kjo na mundëson të identifikojmë dhe forcojmë ato faktorë që i mbrojnë individët dhe komunitetet, në mënyrë që të lëvizin drejt promovimit të shëndetit dhe jo në drejtim të paraqitjes së sëmundjes.
Vijon: Përkufizimi i shëndetit nga Organizata Botërore e Shëndetësisë