Shkruan: Prof. Dr. Donço Donev
Instituti i Mjekësisë Sociale, Fakulteti i Mjekësisë, Univerziteti “Shën Kirili dhe Metodi” – Shkup
Kuptimi modern mbi shëndetin u bë zyrtar atëherë kur Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), në formimin e saj në vitin 1948, përfshin në Statut një përkufizim të propozuar nga Dr. Andrija Shtampar, një shkencëtar i shquar kroat në fushën e mjekësisë shoqërore dhe një nga themeluesit e OBSH-së. Ky përkufizim përgjithësisht i pranuar, i cili ndryshoi tërësisht idenë mbi shëndetin, thotë:
“Shëndeti është gjendje e mirëqenies së plotë fizike, mendore dhe shoqërore, dhe jo vetëm mungesë e sëmundjes dhe paaftësisë”.
Me këtë përkufizim, për herë të parë në nivel ndërkombëtar në epokën moderne, përveç shëndetit fizik dhe mendor, edhe mirëqenia sociale është një komponent përbërëse e shëndetit të përgjithshëm, që është i lidhur ngushtë me mjedisin social dhe kushtet e jetesës dhe të punës.
Përkufizimi i shëndetit sipas Statutit të OBSH-së ka rëndësi të madhe dhe duhet të pranohet si “qëllim ideal” ndaj të cilit duhet të përpiqet, por ky qëllim nuk ka kohë të kufizuar për t’u arritur.
Duke respektuar këtë përkufizim si koncept global, shumë studiues dhe teoricienë të shëndetit kanë avokuar në miratimin e përkufizimeve të punës dhe operative. Në vitin 1977, me miratimin e Strategjisë globale “Shëndet për të gjithë deri në vitin 2000”, OBSH në mënyrë indirekte pranojë qëndrimin pragmatik për shëndetin si aftësi për të udhëhequr jetën ekonomike dhe jetën produktive sociale, gjë që është qëllimi kryesor i kësaj Strategjie.
Përpjekjet për të përcaktuar shëndetin në kuptimin operativ dhe të punës, në mënyrë që të fitohet aftësia për matje, ruajtje dhe avancim më të saktë, kanë qenë të frytshme dhe e tejkalojnë nocionin gjerësisht të rrënjosur, se shëndeti thjesht nënkupton mungesën e sëmundjes. Deklarata nga Konferenca e Parë Ndërkombëtare për Promovimin e Shëndetit, mbajtur në Ottawa, Kanada më 1986, thekson se shëndeti është krijuar në kontekstin e jetës së përditshme: ku njerëzit jetojnë, dashurojnë, punojnë dhe luajnë, dhe në këtë mënyrë prezantoi kuptimin aktiv dhe interaktiv të shëndetit.
Qëllimi i promovimit të shëndetit është të kombinojë qasjen e përcaktuesve social me vendosmërinë dhe përkushtimin për të motivuar dhe inkurajuar individin dhe komunitetin, që të qasen në mënyrë aktive ndaj shëndetit dhe të adoptojnë mënyrat e shëndetshme të jetesës.
Polemika rreth përkufizimit të shëndetit ndoshta nuk ka përfunduar ende, edhe pse në Konferencën Ndërkombëtare mbi Kujdesin Shëndetësor Parësor (Alma Ata, 1978), në artikullin e parë të Deklaratës së miratuar, shëndeti u riafirmua si “gjendje e mirëqenies së plotë fizike, mendore dhe sociale , dhe jo vetëm mungesë e sëmundjes dhe paaftësisë”.
Vijon: Shëndeti shpirtëror si pjesë jetike e shëndetit dhe mirëqenies së përgjithshme