Prof. Dr. Gordana Ristovska: Sëmundjet që lidhen me ushqimet e pasigurta zakonisht shkaktohen nga bakteret, viruset, parazitët ose kimikatet që merren përmes ushqimit ose ujit të kontaminuar

Ushqimi i sigurt është vendimtar për promovimin e shëndetit dhe eliminimin e urisë - këto janë dy nga qëllimet kryesore të agjendës për vitin 2030. Nuk ka mjaftueshëm ushqime të sigurta pa sigurinë e ushqimit. Në këtë botë ku zinxhiri ushqimor bëhet gjithnjë e më kompleks, çdo incident negativ i sigurisë ushqimore mund të ketë efekte negative globale mbi shëndetin publik, tregtinë dhe ekonominë.

Shkruan: Prof. Dr. Gordana Ristovska

Instituti i Shëndetit Publik të Republikës së Maqedonisë së Veriut

Sektori për ekologji shëndetësore


Qasja deri tek sasia e mjaftueshme e ushqimit të sigurt dhe të shëndetshëm është faktori kyç për mbështetjen e jetës dhe promovimin e shëndetit të mirë. Siguria ushqimore dhe ushqimi i duhur janë parakushte thelbësore për shëndetin dhe mirëqenien e popullatës së një vendi dhe duhet të integrohen në të gjitha politikat, jo vetëm në politikat shëndetësore, por edhe në ekonominë kombëtare, bujqësinë, turizmin dhe tregtinë.

Më datë 20 dhjetor 2018, Sekretari i Përgjithshëm i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara miratoi rezolutën 73/250 për shpalljen e Ditës Botërore të Sigurisë Ushqimore. Duke filluar nga 20190ta, 7 qershori do të jetë ditë për të shënuar aktivitetet që tregojnë përfitimet e ushqimit të sigurt, por edhe lëshimet dhe mangësitë e mundshme në zinxhirin e sigurisë së ushqimit.

FAO (Organizata për Bujqësi dhe Ushqim) u ndihmon shteteve anëtare të parandalojnë, menaxhojnë dhe të reagojnë ndaj rreziqeve që shfaqen në zinxhirin e prodhimit ushqimor, përderisa Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e lehtëson parandalimin, zbulimin dhe përgjigjen globale të kërcënimeve në lidhje me shëndetin publik me ushqimet e pasigurta. Të dyja organizatat punojnë për të siguruar besimin e konsumatorëve në autoritetet e tyre dhe besimin në furnizimin me ushqim të sigurt. Përmes mandateve plotësuese dhe partneriteteve afatgjata midis FAO dhe OBSH, mbulohen një sërë çështjesh për mbështetjen e sigurisë globale të ushqimit dhe mbrojtjen e shëndetit të konsumatorit.

Komisioni i Codex Alimentarius, i themeluar nga FAO dhe OBSH, përcakton standardet e ushqimit bazuar në shkencë, udhëzimet dhe kodet e praktikës që mundësojnë sigurinë dhe cilësinë e ushqimit përmes rregullimit të ndotësve, praktikave të higjienës, etiketimit, aditivëve, inspektimit dhe çertifikimit, të ushqyerit dhe mbetjeve nga barnat veterinare dhe pesticidet. Nëse qeveritë i miratojnë standardet ndërkombëtare, fermerët dhe prodhuesit e ushqimit janë në gjendje të plotësojnë kërkesën e konsumatorëve për ushqim të sigurt dhe njëkohësisht të fitojnë qasjen deri te tregu global ushqimor.

Faktet dhe shifrat në shkallë globale

Ushqimi i sigurt është vendimtar për promovimin e shëndetit dhe eliminimin e urisë – këto janë dy nga qëllimet kryesore të agjendës për vitin 2030. Nuk ka mjaftueshëm ushqime të sigurta pa sigurinë e ushqimit. Në këtë botë ku zinxhiri ushqimor bëhet gjithnjë e më kompleks, çdo incident negativ i sigurisë ushqimore mund të ketë efekte negative globale mbi shëndetin publik, tregtinë dhe ekonominë.

Sëmundjet që lidhen me ushqimet e pasigurta zakonisht shkaktohen nga bakteret, viruset, parazitët ose kimikatet që merren përmes ushqimeve të kontaminuara ose ujit. Ushqimi i pasigurt është ushqimi që përmban rreziqe biologjike, kimike ose fizike që mund të shkaktojnë sëmundje tek njerëzit.

600 milionë njerëz ose 1 në 10 njerëz në mbarë botën sëmuren për shkak të konsumit të ushqimit të kontaminuar, ndërsa 420 000 persona vdesin çdo vit. Me këtë, fëmijët deri në moshën 5 vjeçare marrin pjesë me 40% në ngarkesën e sëmundjeve të shoqëruara me ushqime të pasigurta ose 125 000 raste vdekjesh çdo vit. Në vitin 2010, shkaku kryesor i vdekjes nga sëmundjet që kanë të bëjnë me ushqimin jo të sigurtë në Rajonin Evropian është Salmonella enterica me 1854 raste vdekjesh, Campylobacter spp me 459, Norovirises me 435, Listeria monocytogenes me 399, Echinocoocus multilocularis me 239, Hepatitis A me 195, Brucella spp me 191 raste vdekjesh (Тhe burden of foodborne diseases in the WHO European Region. Copenhagen 2017).

Rreziqet biologjike

Rreziqet biologjike përbëjnë kërcënimin më të madh për sigurinë e ushqimit dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë tek konsumatori. Bakteret që shkaktojnë infeksion ose helmim mund të shkaktojnë epidemi të mëdha të sëmundjeve akute në një periudhë të shkurtër kohore dhe janë kërcënim për shumicën e bizneseve ushqimore që mund të përballen. Disa lloje të baktereve mund të klasifikohen si kërcënime të mëdha për sigurinë e ushqimit, siç është Sallmonela, Listeria monocytogenes, Campylobacter dhe E.coli 0157. Ekzistojnë patogjene që janë në gjendje të rriten në ushqime të caktuara nën kushte të favorshme dhe të krijojnë toksina. Toksinat, në veçanti, formohen në ushqim para konsumit, mirëpo në disa raste toksinat mund të jenë akoma të pranishme, madje edhe pas të gjitha qelizat bakteriale të jenë shkatërruar nga gatimi. Bacillus cereus dhe Staphylococcus aureus janë shembuj të baktereve që mund të shkaktojnë helmim, por shkaku më i rëndësishëm dhe potencial është Clostridium botulinum.

Gastroenteriti viral është shumë i zakonshëm në botë. Më të zakonshëm janë novrovirusi dhe hepatiti A, të cilët janë përgjegjës për një numër të madh të epidemive, si rezultat i higjenës së dobët personale të punëtorëve të ushqimit të infektuar ose higjienës së pamjaftueshme të produkteve.

Një gamë e gjerë e parazitëve të zorrëve mund të transmetohet tek njerëzit përmes ushqimeve të kontaminuara, më të zakonshme në vendet në zhvillim, me kushte sanitare të dobëta, por me globalizim në rritjen e zinxhirit të furnizimit ushqimor mund vetëm të rrisë rëndësinë e tyre në botën e zhvilluar. Aktualisht protozoat parazitare janë më të rëndësishmet, të cilat mund të shkaktojnë sëmundje tek njerëzit, të tilla si Entamoeba histolytica, shkaku i dizenterisë amoebic dhe Cryptosporidium parvum.

Prionet janë kërcënim relativisht i ri për sigurinë e ushqimit dhe akoma nuk janë të sqaruara plotësisht, por përfshirja e tyre në një variant potencial të ri të sëmundjes Creutzfeldt-Jakob (vCJD), sëmundje degjenerative fatale që ndikon seriozisht në sistemin nervor, ka shkaktuar shqetësim të konsiderueshëm.

Lëvizja e sëmundjeve akute infektive të zorrëve është treguar në Tabelën 1, e cila tregon se infeksionet dhe helmimet bakteriale ushqimore kanë shkallë të ndryshueshme, por edhe shkallë të lartë të incidencës së bashku me salmonelozën e konfirmuar në mënyrë labartorike dhe infeksionet e shkaktuara nga E.coli.


Incidenca në 100.000 nga sëmundjet në grupin e sëmundjeve infektive të zorrëve, Maqedoni, periudha 2013-2018

Viti / sëmundja  2018 2017 2016 2015 2014 2013
Enterocolitis 412,5 558,4 545,2 589,0 512,3 582,2
Infeksionet bakteriale ushqimore dhe helmimet 20,2 35,9 26,1 27,8 44,0 45,5
Hepatiti A 3,5 1,7 1,0 7,6 28,2 4,9
Salmonelloza 18,0 15,3 12,3 16,8 9,9 12,7
Infeksionet e shkaktuara nga E. Colli 9,1 8,4 8,0 10,9 7,8 3,9
Shigelloza 1,2 0,9 0,8 0,3 1,1 0,4
Listerioza 0,0 0,2 0,0 0,1 0,5 0,0
Kampilobakteriozat 0,9 0,1 0,4 0,1 0,1 0,1
Giardiasis 0,6 0,2 0,2 0,3 0,0 0,2

Burimi: Lëvizja e sëmundjeve akute infektive në Republikën e Maqedonisë në vitin 2018, Instituti i Shëndetit Publik të Republikës së Maqedonisë së Veriut, 2019.

Vijon: Rreziqet kimike dhe masat e shëndetit publik për sigurinë e ushqimit