Shkruan: Prof. Dr. Marina Krstevska-Konstantinova, pediatre – endokrinologe
Udhëzues për rritjen dhe çrregullimet e rritjes, destinuar për prindërit dhe fëmijët
Çfarë është rritja?
Rritja është proces kompleks, i cili është tregues i shëndetit të përgjithshëm të fëmijës. Rritja paraqet rritjen e dimenzioneve të trupit – lartësinë, peshën dhe rritjen e pjesë të tjera të trupit që mund të maten.
Cilat janë periudhat bazë të rritjes?
Ekzistojnë gjashtë periudha karakteristike të rritjes:
- Periudha embrionale (9 muaj në mitrën e nënës)
- Periudha e foshnjës (nga lindja deri në moshën 1 vjeçare)
- Fëmijëria e hershme (nga 1 deri në 3 vjet)
- Fëmijëria e vonshme (3-10 vjet)
- Puberteti (10-14 vjet)
- Adoleshenca (14-18 vjet)
Çfarë ndodh kur fëmija rritet?
Gjatë periudhës së rritjes, numri dhe madhësia e qelizave në organizëm rritet.
Kur është më e shpejtë rritja?
Rritja është më e shpejtë në vitin e parë të jetës.
- Mosha 1 vjeçare: 24-25 cm në vit
- Mosha 2 vjeçare: 12-15 cm në vit
- Mosha 3 deri 4 vjeçare: 7-8 cm në vit
- Mosha 5 vjeçare: 6-7 cm në vit
- Mosha 6 vjeçare deri në pubertet: 5-6 cm në vit
- Puberteti (vajzat 8-10 cm në vit, djemtë 10-12 cm në vit)
Kur mbaron rritja?
Rritja mbaron kur pjesët fundore të eshtrave, të cilat quhen pllakat epifize, mbyllen (ngurtësohen) dhe nuk lejojnë rritjen. Rritja përfundon në fund të pubertetit.
A ka ndonjë dallim midis vajzave dhe djemve?
Po! Kur tek vajzat të fillojë gjakderdhja menstruale, epifizat mbyllen me shpejtësi dhe rritja papritmas mbaron. Pas fillimit të gjakderdhjes menstruale tek vajzat, ato zakonisht mund të rriten deri në 3-4 centimetra, por në raste shumë të rralla deri në 10 centimetra.
Cilët faktorë ndikojnë në rritjen e fëmijës?
- Ushqimi
- Statusi socio-ekonomik
- Faktorët gjenetikë
- Lartësia e prindërve
- Raca
- Gjinia – djalë / vajzë
- Faktorët hormonal (hormoni i rritjes, hormoni i tiroides, hormonet seksuale)
A mund të dimë se cilën lartësi duhet të arrijë fëmija?
Po, madje mund ta llogarisni edhe vetë mjaftë lehtë. Lartësia e pritshme e fëmijës tuaj quhet lartësia objektive. Për shembull:
Lartësia e babait është 180 cm, ndërsa e nënës është 170 cm:
(180 cm + 170 cm) ÷ 2 = 350 ÷ 2 = 175
Për djemtë lartësia e pritshme objektive do të ishte: 175 + 6.5 cm = 181.5 cm
Për vajzat lartësia e pritshme objektive do të ishte: 175 – 6.5 cm = 168.5 cm
Çfarë është hormoni i rritjes?
Hormoni i rritjes është mjaftë i rëndësishëm për rritjen dhe zhvillimin normal, dhe e përcakton strukturën e trupit si dhe funksionimin e tij. Hormoni i rritjes është proteinë natyrale që e prodhon një gjëndër shumë e vogël e quajtur hipofizë. Hipofiza ndodhet në tru.
Hormoni i rritjes a është i rëndësishëm vetëm për lartësinë e fëmijës?
Jo, hormoni i rritjes ka shumë funksione të tjera të rëndësisë jetësore:
- Ndikon në metabolizmin e eshtrave dhe është i rëndësishëm për fëmijën tuaj që të ketë eshtra të shëndetshme, të fortë dhe të fuqishme
- Ndikon në zhvillimin dhe rritjen e organeve
- Ndikon në proceset metabolike: metabolizmin e proteinave, karbohidrateve, lëngjeve dhe mineraleve
- Ndikon pozitivisht në ekuilibrin midis muskujve dhe indit dhjamor
- Ndikon pozitivisht në gjendjen e përgjithshme shëndetësore dhe energjinë
Cilët faktorë mund të shkaktojnë çrregullim të rritjes?
- Faktorët trashëgues (të lindura ose të fituara në shtatzani ose lindje)
- Sëmundjet kronike (veshkat, mëlçia, sistemi i tretjes, zemra, mushkëritë, etj)
- Përdorimi afatgjatë i barnave (p.sh. kortikosteroidet…)
- Ushqyerja jo e mjaftueshme, sidomos marrja e pamjaftueshme e proteinave
- Faktorët psiko-social
- Lëndimi i kokës
- Faktorë të panjohur, etj.
Kur mund të dyshojmë se fëmija ka probleme me rritjen?
Ju mund të dyshoni kur t’ju përgjigjeni pozitivisht pyetjeve të mëposhtme:
- Fëmija është më i ulët në krahasim me bashkëmoshatarët e tij
- Fëmija rritet më ngadalë në krahasim me bashkëmoshatarët e tij
- Fëmija është më i ulët se ju, në të njëjtën moshë
Çdo fëmijë që është më i ulët se bashkëmoshatarët e tij, a ka çrregullim të rritjes?
Përgjigjja është JO! Ka fëmijë që thjesht rriten më ngadalë në krahasim me bashkëmoshatarët e tyre, por gjithsesi e arrijnë lartësinë në një moshe më të madhe.
Si të veprojmë kur kemi dyshime se fëmija ka probleme me rritjen?
Është e nevojshme të bisedoni me mjekun amë dhe të kërkoni të masë fëmijën. Me matjen nuk përfundon kontrolli. Gjëja më e rëndësishme është që mjeku vlerën e fituar ta fut në fajtorin e rritjes. Edhe nëse nuk keni dyshim se fëmija juaj ka probleme me rritje, është e rëndësishme të insistoni që foshnja të matet çdo 3 muaj, ndërsa fëmijët parashkollor dhe nxënësit çdo 6 muaj.
Vijon: Kur duhet të shqetësohemi për rritjen e fëmijës? Cila mund të jetë arsyeja për çrregullimin e rritjes së fëmijës?