Rezultatet nga dy hulumtimet më të fundit kanë treguar se barnat e hartuara për stimulimin e sistemit imunitar të pacientit, mund të përmirësojnë shkallën e mbijetesës te pacientët me kancer të mushkërive. Studimi i parë tregoi se pembrolizumab-i në kombinim me kimioterapinë standarde zvogëlon rrezikun e vdekjes nga kanceri i mushkërive në 11 muajt e ardhshëm me 50%, në krahasim me trajtimin vetëm me kimioterapi.
Ky kombinim gjithashtu e zvogëlon rrezikun e përhapjes së mëtejshme të kancerit të mushkërive.
Studimi i dytë tregoi se kombinimi i nivolumab/ipilimumab dhe kimioterapisë standarde e zvogëlon rrezikun e përhajes së sëmundjes pas një viti për 42%.
Rezultatet e këtyre dy studimeve janë inkurajuese për pacientët me kancer të mushkërive që të vazhdojnë luftën kundër kancerit.
Aktualisht, kimioterapia është një terapi standarde për shumicën e njerëzve me kancer të mushkërive. Në shumicën e rasteve, kimioterapia e zgjat jetën vetëm për një vit ose edhe më pak.
Këto rezultate tregojnë se kombinimi i barnave dhe kimioterapisë ka rezultuar në përmirësim të dukshëm në përgjigjen ndaj trajtimit, mbijetesës pa përparim dhe mbijetesës së përgjithshme te të gjithë pacientët që morën pjesë në hulumtim, u theksua në Takimin vjetor të Shoqatës Amerikane të Kërkimeve të Kancerit.