Pse disa njerëz ndjejnë pasoja më të lehta të COVID-19? Përgjigja mund të qëndrojë te “trajnimi” i sistemit imunitar

Aftësia e sistemit imunitar për të "mbajtur mend" mund të shpjegojë pse disa njerëz zhvillojnë sëmundjen e shkaktuar nga koronavirusi i ri më ngadalë se të tjerët.

Infeksionet e mëparshme me viruse që shkaktojnë ftohje mund të trajnojnë sistemin imunitar të njoh virusin SARS-CoV-2, i cili shkakton COVID-19, tregojnë hulumtimet e reja.

Një studim i botuar në revistën Science zbuloi se qelizat imune, të ashtuquajturat T qelizat që njohin koronavirusin, gjithashtu njohin vende specifike të SARS-CoV-2, duke përfshirë pjesë të proteinës spike që ky virus e përdor për t’u lidhur dhe pushtuar qelizat e njeriut.

Kjo “memorje” e sistemit imunitar mund të shpjegojë pse disa njerëz kanë simptoma më të buta të COVID-19. Autorët tregojnë se kjo hipotezë është “shumë spekulative” dhe se nevojiten më shumë hulumtime. Përkatësisht, akoma nuk dihet se sa rol të madh luajnë T qelizat në luftën kundër COVID-19. Ato janë vetëm pjesë e një sistemi kompleks të molekulave dhe qelizave që janë pjesë përbërëse e sistemit tonë imunitar.

Studimet e mëparshme kanë treguar se mbi 50 përqind e njerëzve që kurrë nuk kanë qenë të ekspozuar ndaj COVID-19 kanë T qeliza që njohin SARS-CoV-2. Kjo është vërejtur te njerëzit në të gjithë botën, në Hollandë, Gjermani, Britani të Madhe dhe Singapor. Shkencëtarët kanë spekuluar se ky imunitet para-ekzistues mund të jetë rezultat i infeksioneve të mëparshme me koronaviruse të tjera, veçanërisht ato që shkaktojnë ftohjen e zakonshme.

Koronavirusi dhe proteinat e tij

Në një studim të ri, studiuesit analizuan mostrat e gjakut të mbledhura nga njerëzit midis vitit 2015 dhe 2018, shumë përpara se COVID-19 të shfaqej për herë të parë në Wuhan.

Ato mostra gjaku përmbajnë T qelizat që përgjigjen në katër koronaviruse të ndryshme që shkaktojnë infeksione të ftohjes, si dhe SARS-CoV-2. Ky studim siguroi prova të forta molekulare se T qelizat mund të “shohin” sekuencat që janë shumë të ngjashme me koronaviruset e zakonshme dhe SARS-CoV-2.