Ekziston një rrezik “i lartë” që variantet e identifikuara kohët e fundit të koronavirusit mund të shkaktojnë presion shtesë në sistemet shëndetësore dhe të rrisin vdekshmërinë sepse ato janë më infektuese, paralajmëroi dje Qendra Evropiane e Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve (ECDC).
Qendra Evropiane në një raport të fundit theksoi se “megjithëse nuk ka informacion mbi raste më të rënda”, me ato variante të virusit, infektiviteti i tyre më i lartë do të ketë “efekt më të theksuar në numrin e të shtruarve në spital dhe të vdekurve”.
Kjo është veçanërisht e vërtetë për “të moshuarit ose ata me komorbiditete”, theksojnë nga agjencia.
Raporti përqendrohet në variantet e koronavirusit të zbuluara kohët e fundit në Britaninë e Madhe dhe Republikën e Afrikës së Jugut, tek të cilët është zbuluar se kanë “rritje të transmetimit”.
Më shumë se 3,000 raste të infeksionit britanik të koronavirusit janë konfirmuar në Mbretërinë e Bashkuar dhe në të gjithë botën.