Aftësia për të identifikuar njerëzit që janë më të rrezikuar nga dështimi i zemrës, veçanërisht në mesin e popullatës së rritur me rrezik të lartë, do t’u mundësojë mjekëve të fillojnë masat parandaluese më herët dhe në kohën e duhur.
“Sapo dikush zhvillon simptoma të dështimit të zemrës, mundësia e parandalimit tashmë mungon, pasi rreziku i vdekjes brenda pesë viteve nga diagnoza është 50 për qind, i ngjashëm me diagnozën e kancerit,” thekson autorja e studimit Dr. Sadia Khan, docente e kardiologjisë dhe epidemiologjisë në Fakultetin e Mjekësisë në kuadër të Universitetit Northwestern.
Deri më sot, nuk ka pasur modele për vlerësimin e rrezikut afatgjatë të dështimit të zemrës. Ekzistojnë modele afatshkurtra që vlerësojnë rrezikun e dështimit të zemrës në pesë deri në dhjetë vitet e ardhshme, por ato nuk janë aq efektive për të rinjtë që mund të mos zhvillojnë dështim të zemrës deri në një moshë të caktuar.
Tani, për herë të parë, ky model do t’i lejojë mjekët të vlerësojnë rrezikun e një personi për të zhvilluar dështim të zemrës në 30 vitet e ardhshme bazuar në nivelet aktuale të faktorëve të rrezikut si indeksi i masës trupore, presioni i gjakut, kolesteroli, diabeti dhe statusi i duhanpirjes. Studimi u botua së fundmi në revistën e shoqatës amerikane të zemrës Circulation Research.
Dështimi i zemrës është gjendje kronike, progresive në të cilën zemra nuk është në gjendje të pompojë mjaftueshëm gjak nëpër trup dhe organe për të përmbushur nevojat e saj për oksigjen dhe lëndë ushqyese. Si pasojë e kësaj gjendje ndodhin ndryshime në zemër, për shkak të të cilave, në përpjekje për të plotësuar nevojat e organizmit, rritet vëllimi i zgavrave të zemrës, duke rritur numrin e infarkteve dhe masën muskulore të zemrës. Dështimi i zemrës mund të jetë gjithashtu akut kur ndodh për shkak të sëmundjes akute të zemrës, zakonisht gjatë një ataku kardiak.