Angina Pectoris është sindromë (e sërë simptomave të shkaktuara nga gjendja shëndetësore), e cila shfaqet kur qarkullimi i gjakut i pasur me oksigjen deri te zemra është i kufizuar. Simptoma më e zakonshme është dhimbja në gjoks, e cila zakonisht shkaktohet nga aktiviteti fizik.
Shumica e rasteve të angina pectoris shkaktohen nga ateroskleroza (sëmundje në të cilën enët e gjakut bëhen të forta dhe të ngushta, kështu që e kufizojnë qarkullimin e gjakut).
Rrezik faktorët e aterosklerozës përfshijnë:
- moshën
- pirjen e duhanit
- mbipeshën
- ushqimin e yndyrshëm
LLOJET E ANGINA PECTORIS
Ekzistojnë dy lloje kryesore të anginës:
- e qëndrueshme
- e paqëndrueshme
ANGINA E QËNDRUESHME
Në rastin e anginës së qëndrueshme, simptomat shfaqen gradualisht me kalimin e viteve dhe zakonisht ndjekin një model të përhershëm. Për shembull, simptomat shfaqen vetëm kur ngjitni shkallët, ose nëse jeni nën stres. Simptomat zakonisht zgjasin disa minuta. Angina e qëndrueshme në vetvete nuk është kërcënuese për jetën, por është një paralajmërim serioz se keni rrezik të lartë ndaj sulmit në zemër. Për shkak të kësaj, me trajtimin e simptomave të anginës, zvogëloni rrezikun e pasojave të rënda, merrni edhe terapi shtesë, por në disa raste edhe ndërhyrje.
ANGINA E PAQËNDRUESHME
Në rastin e anginës së paqëndrueshme simptomat zhvillohen me shpejtësi, ato mund të shfaqen edhe kur pushoni dhe zgjasin deri në gjysmë ore. Simptomat e anginës së paqëndrueshme mund të shfaqen nëse më parë keni pasur një formë të anginës së qëndrueshme, por shfaqen edhe tek njerëzit që nuk e kanë pasur atë. Angina e paqëndrueshme duhet të trajtohet si një rast urgjent, pasiqë është shenjë se funksionimi i zemrës është i përkeqësuar ndjeshëm, gjë që rrit rrezikun ndaj sulmit në zemër apo infarktit. Angina e paqëndrueshme trajtohet me ilaçe ose ndërhyrje kirurgjikale.
Perspektiva
Perspektiva tek angina e qëndrueshme duket mjaft e mirë. Sipas disa vlerësimeve, një në 100 vetë do të përjetojë infarkt vdekjeprurës ose sulm, ndërsa rreth 0.5-2.6% e pacientëve përjetojnë infarkt jo fatal. Rreziku i një infarkti të mundshëm fatal mund të reduktohet ndjeshëm me ndryshimin e mënyrës së jetesës. Për shembull, nëse jeni duhanpirës dhe keni probleme me peshën trupore, me ndërprejen e pirjes së duhanit dhe uljen e kilogramëve brenda kufijve normal, do ta zvogëloni rrezikun e sulmit të zemrës për 400%.
Perspektivat e personave që vuajnë nga angina e paqëndrueshme mund të ndryshojnë ndjeshëm, varësisht nga numri i rrezik faktorëve. Disa prej tyre janë:
- mosha
- raste të mëparshme të sëmundjeve të zemrës
- tensioni i lartë i gjakut (hipertensioni)
- sëmundjet kronike, si diabeti
Në varësi të këtyre faktorëve, rreziku që pacienti do të përjetojë sulm në zemër në 14 ditët e para pas shfaqjes së simptomave, varion nga 2 në 16 për qind.