Sistemi limfatik është pjesë e rëndësishme e sistemit imunitar të organizmit, është një sistem mbrojtës i organizmit kundër sëmundjeve të ndryshme. Gjëndrat limfatike janë pjesë e sistemit limfatik, në të cilin pengohen dhe përqendrohen viruset, bakteret dhe materialet tjera, me qëllim që në fund t’i shkatërrojë me ndihmën e qelizave të bardha të quajtur limfocite dhe makrofage.
Zgjerimi i gjëndrave limfatike nuk është një dukuri e rrallë. Kjo mund të jetë si pasojë e ftohjes ose ndonjë infeksioni viral. Megjithatë, ato nuk duhet të anashkalohen, pasiqë mund të jenë simptomë e ndonjë sëmundjeje të rëndë, siç është tumori.
Zgjerimi në një vend ndodh kur ka ndonjë problem shëndetësor, si: infeksion, dëmtim ose tumor në afërsi ose në gjëndrat limfatike. Ndonjëherë, gjëndrat limfatike mund të zgjerohen njëkohësisht në disa vende në trup.
Në moshën e fëmijërisë, gjëndrat limfatike shpesh zgjerohen në zonën e qafës, gjë që flet për problem shëndetësor në zonën e zgavrës së gojës, hundës, fytit, sinuseve ose indeve të buta në fytyrë dhe qafë. Më të zakonshmet janë infeksionet virale që shkaktohen nga viruset respiratore dhe infeksionet bakteriale të traktit të sipërm respirator dhe bajamet (angina, inflamacioni i mukozës së hundës, laringut, sinuset, inflamacioni i veshëve, kariesi i dhëmbëve, inflamacioni i mishit të dhëmbëve).
Diagnoza në rastet tipike kryhet lehtë në bazë të informatave të prindërve mbi simptomat e fëmijës, ekzaminimi i fëmijës dhe ekzaminimet biokimike rutinë (leukocitet dhe formula e leukociteve). Ekzaminimet e mëtejshme për të përcaktuar diagnozën e saktë janë këto:
- Nëse gjëndra e zgjeruar nuk largohen pas disa javëve që nga koha kur janë shfaqur;
- Nëse zgjerohet më shumë se sa në ditët e para;
- Nëse gjëndra bëhet më e fortë pas konsistencës, ndjeshmëri dhimbjeje gjatë prekjes ose e palëvizshme;
- Nëse ekzistojnë simptoma të tjera shoqëruese të sëmundjes: dhimbje fyti, sekrecion nazal për një kohë të gjatë, kollë, temperaturë e lartë e trupit;
- Nëse ekzistojnë ndryshime në gjendjen e përgjithshme: zvogëlimi i oreksit, humbja e peshës trupore, lodhja, djersitja gjatë natës, përfshirë edhe kruajtjen e lëkurës;
- Nëse shfaqen mavijosje në trup pa mos u goditur mëparë.