Njerëzit me COVID-19 të lehtë ka të ngjarë të jenë infektiv për pesë ditë, treguan rezultatet e një studimi të ri zhvilluar nga shkencëtarët e Imperial College London.
Ky është studimi i parë që zbulon se sa zgjat ngjitja pas infektimit të individëve me koronavirus në një komunitet. Studimi sugjeron se vetëm një në pesë njerëz ishte infektiv përpara se të fillonin të shfaqeshin simptomat e virusit.
Në dy të tretat e rasteve, pacientët ishin infektiv në ditën e pestë pas shfaqjes së simptomave, ndërsa në një të katërtën e rasteve edhe pas shtatë ditësh.
Të infektuarit u monitoruan me teste të hollësishme ditore për të zbuluar se sa virus po lëshonin në mjedisin e tyre. Rezultatet treguan se testet në shtëpi nuk zbulojnë me besueshmëri fillimin e infeksionit, por mund të përdoren në mënyrë të sigurtë për të shkurtuar izolimin.
Shkencëtarët rekomandojnë që njerëzit me COVID-19 të izolohen për pesë ditë pas fillimit të simptomave dhe më pas të fillojnë testimin në ditën e gjashtë. Ata thonë se është e sigurt t’i jepet fund izolimit nëse testet janë negative dy ditë me radhë. Ata që janë ende pozitivë për virusin mund të ndalojnë izolimin deri në dhjetë ditë pas fillimit të simptomave.
“Para këtij studimi, neve na mungonte një pjesë e madhe e imazhit të ngjitjes, por duke përdorur teste të veçanta ditore dhe regjistrimin e përditshëm të simptomave, ne ishim në gjendje të përcaktonim “dritaren” në të cilën njerëzit janë infektiv ndaj të tjerëve”, thotë autori kryesor i studimit, profesor Ajit Lalvani.
“Ky është çelësi për të kontrolluar çdo pandemi dhe çdo sëmundje respiratore në komunitet.”
“Duke kombinuar rezultatet tona me atë që dimë nga dinamika e infeksionit omicron, ne besojmë se kohëzgjatja e infektivitetit është gjerësisht e zbatueshme për të gjitha variantet ekzistuese të këtij koronavirusi”, shton ai.
Në studim, të infektuarit me koronavirus u ndoqën nga shtatori 2020 deri në tetor 2021, duke përfshirë të vaksinuar dhe të pavaksinuar. Një pengesë e mundshme e studimit është se kampioni i tij është relativisht i vogël, pra janë ndjekur 57 pacientë.
Rezultatet e hulumtimit u publikuan në revistën profesionale The Lancet Respiratory Medicine.