Raporti i fundit nga Qendra amerikane për kontrollin e sëmundjeve ka treguar se, një në 100 njerëz në SHBA ka sëmundje seksualisht të transmetueshme – klamidi. Një person, ndoshta nuk tingëllon edhe aq serioze, por kur të bëhet një llogari, atëherë do të thotë se mbi 1.8 milionë njerëz në Amerikë kanë klamidi.
Ajo që është më shqetësuese është fakti se 1.4 milion njerëz kanë raportuar se e kanë këtë sëmundje, ndërsa 400.000 të tjerët mund ta kenë atë, por nuk e dinë, duke rrezikuar në këtë mënyrë edhe infektimin e partnerëve të tyre. Por duhet të kihet parasysh se mosdija e këtyre personave mund të mos jetë faji i tyre, pasi klamidia pothuajse nuk ka simptoma të cilat do të shërbenin si alarm shqetësues.
Klamidia është sëmundje bakteriale seksualisht e transmetueshme, e cila shpesh kalon pa u vënë re, por mund të shkaktojë dhimbje kronike, shtatzëni jashtë mitrës dhe infertilitet.
Kjo baktere, nëse zbulohet në kohë, mund të shërohet për disa ditë, me ndonjë nga terapitë efektive me antibiotikë.
“Tek të dyja gjinitë, klamidia mund të shkaktojë rënie të energjisë, si dhe dhimbje, sidomos gjatë urinimit. Por problemi është se këto simptoma janë tipike edhe për sëmundje të tjera, kështu që sipas sipas tyre është e vështirë të dyshohet për ekzistencën dhe shfaqjen e klamidisë”, thotë Mary Jane Minkin, profesor në Universitetin Yale.
Kryerja e testeve të klamidisë duhet t’u propozohet grave të cilat i përkasin një kategorie të rrezikshme (shumë partnerë brenda vitit, gra të paarsimuara…), menjëherë pas vizitës tek mjeku i përgjithshëm dhe gjinekologu, dhe jo vetëm në institucione të specializuara .