Shpesh, sëmundjet e thonjve janë simptomë e njëkohshme e sëmundjes, prandaj është e rëndësishme që t’u kushtohet vëmendje ndryshimeve të pamjes së tyre. Sëmundjet e thonjve mund të trashëgohen ose të fitohen si rezultat i traumave fizike, mikozës, punës me kimikate…
Një nga sëmundjet më të zakonshme të thonjve është onihomikoza (infeksion fungal). Fillimisht sëmundja rrjedh pa e kuptuar, ndërsa më tej thonjtë bëhen të thyeshëm, të ashpër, të verdhë, të trashë, ndërsa sëmundja shoqërohet me dhimbje nën thonjtë dhe me erë të pakëndshme. Shpesh shkak i sëmundjes është mungesa e higjenës personale, djersitja e këmbëve nga mbathja e çorapeve sintetike dhe këpucët me cilësi të dobët, imuniteti i dobët, ecja këmbë zbathur në vende publike (p.sh. rreth pishinës). Gjashtë deri në tetë përqind e popullsisë vuajnë nga onihomikoza.
Sëmundja tjetër e thonjve është mikronihia (thonj të vegjël dhe të shkurtër), të cilat mund të shfaqen si një defekt gjenetik, ndërsa mund të jenë edhe si rezultat i onihofagisë ose ngrënies së thonjve. Anonihia është problem shëndetësor mjaft i rrallë i cili karakterizohet me mungesën e një ose më shumë pllakave të thonjve. Sëmundja mund të jetë gjenetike ose si pasojë e një traume fizike, ndonjë infeksion… Shfaqja e njollave të vogla të bardha te thonjtë, zakonisht është si rezultat i avitaminozës, dhe është një gjendje mjaft e zakonshme e thonjve.Problem tjetër i zakonshëm është edhe rritja e thonjve brenda lëkurës. Nga kjo gjendje zakonish preket gishti i madh i këmbës. Arsyeja mund të jetë mbathja e këpucëve të ngushta dhe të forta, prerja shumë e thellë e thonjve, infeksione…
Onihogrifoza është gjendje e cila shfaqet tek të rriturit dhe shpesh shkaktohet nga presioni i tepërt, krijimi i infeksionve nga këpucët dhe traumat. Shpesh shfaqet si efekt shoqërues i sëmundjes reumatoide ose lezioneve vaskulare në diabet. Thonjtë e këmbëve shpesh bëhen të lakuar, të trashë, të ngurtë dhe e ndryshojnë ngjyrën.
Si nocion mjekësor që shpjegon gjendjen e thonjve paraqitet edhe onycholysis, çrregullim gjatë të cilit thonjtë në mënyrën spontane ndahen prej bazës. Onychorexis është gjendje e thonjëve të thyeshëm.