Retina (rrjeta) është një pjesë unike e trupit që u mundëson mjekëve të ekzaminojnë me kujdes nervat dhe enët e gjakut pa pasur nevojë për intervenim kirurgjik. Kjo i bën ekzaminimet rutinë të syve shumë të dobishme në identifikimin e problemeve mjekësore në fillim të zhvillimit të tyre.
Kanceri
Diagnostifikimi i syve mund t’ju shpëtojë jetën. Gjatë një ekzaminimi të syrit, mjekët mund të zbulojnë tumoret e trurit, kancerin e gjirit ose mushkërive. Gjakderdhja me intensitet të ulët në retinë mund të alarmojnë mjekun se pacienti ka leuçemi. Oftalmologët mund të zbulojnë një goditje në tru në bazë të ndryshimeve që kanë ndodhur në fushën e të pamurit të pacientëve.
Sklerozë e shumëfishtë (Skleroza multiple)
Neuriti optik mund të jetë një tregues i sklerozës së shumëfishtë – një sëmundje e sistemit nervor. Kjo sëmundje shfaqet në 75% të pacientëve të diagnostikuar me sklerozë të shumëfishtë dhe tek një të katërtat e rasteve është simptomë e hershme e kësaj sëmundjeje. Megjithatë, edhe nëse jeni diagnostikuar me inflamacion të nervit optik, nuk është e sigurt që keni sklerozë të shumëfishtë.
Artriti reumatoid
Rreth 25% e pacientëve me artrit reumatoid kanë probleme me sytë dhe syri i thatë është simptoma më e zakonshme e kësaj sëmundjeje. Nëse pacienti ka inflamacion të irisit, që zgjat nga 12 deri në 18 muaj, ai ka të ngjarë të diagnostikohet me artritin reumatoid. Kjo gjë ndodh pasi që personat me sëmundje inflamatore e cila prek nyjet e vogla, ka edhe nivele të larta të kimikateve në gjak që shkaktojnë inflamacion, dhe nganjëherë këto substanca ruhen në kokërdhokët e syve.
Tensioni i lartë i gjakut
Dëmtimi i enëve të gjakut, si dhe problemet me funksionin arterial, mund të jetë shenjë se personi vuan nga tensioni i lartë i gjakut. Hulumtimet kanë treguar se ekziston një korrelacion midis sëmundjeve të zemrës dhe ngushtimit të enëve të vogla të gjakut në retinë. Edhe nëse një person nuk diagnostikohet me simptoma të shpeshta të dështimit të zemrës, problemet me sytë mund të ndihmojnë në identifikimin e një diagnoze të tillë si tensioni i lartë i gjakut.
Përktheu dhe përshtati:S.N