Shkaktarët kryesor për humbjen e dhëmbëve

Ekspertët e stomatologjisë listojnë tetë faktorë rreziku për humbjen e dhëmbëve, si rezultat i sëmundjes periodontale.

Një studim ka treguar se sëmundja e mishit të dhëmbëve është shkaku kryesor i humbjes së dhëmbëve. Në të njëjtin hulumtim dëshmohet se meshkujt dhe femrat të moshë mbi 35 vjeç, janë më të prirur ndaj kësaj sëmundjeje, pasi që nuk i kushtojnë aq shumë vëmendje higjienës dentare dhe nuk shkojnë tek dentisti derisa të ndjejnë dhimbje dhëmbi.

Tre në dhjetë pacientë të cilët vuajnë nga sëmundja e mishit të dhëmbëve kanë qenë ose janë duhanpirës. Besohet se lidhja midis duhanpirësit dhe humbjes së dhëmbëve është edhe më e ngushtë. Pothuajse rreth 40% e pacientëve asnjëherë nuk janë vizituar te stomatologu, ndërsa vetëm 13% kanë qenë te stomatolog gjashtë muaj para se të humbnin dhëmbët. Shumica e pacientëve, madje 60% e tyre, thanë se nuk i kishin pastruar dhëmbët as edhe një herë, ndërsa vetëm 16% thanë se i pastronin dhëmbët dy herë në ditë.

Shumica e pacientëve, gjithashtu kishin probleme të tjera shëndetësore. Pothuajse një në pesë pacientë vuante nga diabeti i tipit 2, si dhe është vërtetuar se diabeti dhe humbja e dhëmbëve janë të lidhura ngushtë. Një në dhjetë veta kishte tension të lartë të gjakut, si dhe artrit reumatoid.

Ashtu si te shumica e sëmundjeve, disa nga faktorët e rrezikut nuk mund t’i kontrollojmë. Si faktor rreziku përmenden:

  • Mosha mbi 35 vjeçare;
  • Sëmundjet e dhëmbëve janë më të zakonshme te gjinia mashkullore për shkak të higjenës jo të rregullt dhe vizitës te stomatologu;
  • Asnjëherë ose shumë rrallë vizitoheni te stomatologu;
  • Asnjëherë ose shumë rrallë keni përdorur brushë dhëmbësh;
  • Keni pirë duhan ose vazhdoni të pini;
  • Vuani nga diabeti;
  • Keni tension të lartë të gjakut;
  • Vuani nga artriti reumatoid.