Shkencëtarët dhe kuzhinierët italianë thonë se kanë bërë një pizza e cila parandalon kancerin dhe sëmundjet e zemrës. Pica e quajtur “pascalina” është gatuar në Napoli, ndërsa e quajnë si “pizza që e zgjat jetën” dhe “pizza antitumor”. Pascalina është përgatitur nga përbërësit e kuzhinës mesdhetare, të cilat njihen për ndikimin e mirë mbi shëndetin e njeriut. Ky specialitet do të shitet gjatë festivalit të picave në Napoli.
Shkencëtarët e Institutit Kombëtar të tumoreve në Milano thanë se kjo lloj pice mund të konsumohet dy herë në javë. Pica është përgatitur nga ekip hulumtuesish, pronar restoranesh, prodhues ushqimesh dhe konsumatorë.
Ata shpresojnë që të inkurajojnë njerëzit që të ushqehen në mënyrë të shëndetshëm dhe t’u tregojnë atyre se pica mund të jetë një ushqim i shëndetshëm. Brumi është standard, i bërë nga mielli i bardhë, ndërsa përbërësit tjerë janë sheri domatet, ullinjtë, vaji i ullirit, hudhrat, chili dhe perimet me gjethe të gjelbërta. Këto përbërës të shëndetshëm e zvogëlojnë rrezikun ndaj sëmundjeve kardiovaskulare dhe disa llojeve të kancerit në sistemin digjestiv.