SHKENCTARËT PËRPIQEN TË ZBULOJNË NJËRËN NGA ENIGMAT MË TË VËSHTIRA: Duam të dimë origjinën e koronavirusit

Mundësia që virusi të ketë shpëtuar aksidentalisht nuk mund të përjashtohet plotësisht, por nuk ka prova se si është krijuar te njeriu.

Shumë shkencëtarë po përpiqen të zhvillojnë vaksinën më efektive kundër koronavirusit të ri SARS-CoV-2, por një numër i madh ekspertësh po përpiqen të zgjidhin një nga enigmat më të mëdha – nga ka ardhur. Organizata Botërore e Shëndetësisë së fundmi formoi një grup ndërkombëtar prej dhjetë shkencëtarësh për të hetuar origjinën e virusit.

Ata do të duhet të hetojnë kafshët që dyshohen për transmetimin e virusit dhe pacientët e parë të infektuar.

“Ne duam të dimë se nga lindi dhe do të bëjmë më të mirën për ta zbuluar,” tha Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Por kjo nuk do të thotë që suksesi është i garantuar.

Rastet e para të sëmundjes u shfaqën në Wuhan, një vit më parë, para se vendet në të gjithë botën të fillonin të regjistronin numrin e të infektuarve.

“Koha e shpërthimit nuk do të thotë domosdoshmërisht se është fillimi i një epidemie,” tha OBSH në një deklaratë.

Shumë studiues nga vende të ndryshme muajt e fundit theksojnë se kishte njerëz të infektuar para dhjetorit 2019 dhe përfundimet e tyre bazohen në analizën e ujërave të zeza dhe në mostrat e gjakut. Por ende nuk ka prova të qarta për këtë, thotë Etienne Simon-Lorier, virolog në Institutin Pasteur në Paris.

Shkencëtarët mbështeten në analizën gjenetike për të përcaktuar trungun familjar të virusit.

“Kjo duhet të kontribuojë në kuptimin më të mirë të dinamikës së transmetimit, veçanërisht se si virusi ka evoluar dhe se si pikat e nxehta janë të lidhura në kohë dhe hapësirë,” tha OBSH në një deklaratë.

Shkencëtarët e dinë që virusi ka origjinën nga kafshët. “Pyetja e madhe është se çfarë e bëri atë të hidhej “te njeriu”, tha Simon-Lorier. Të dyshuarit kryesorë janë lakuriqët e natës, të cilët shumë i konsiderojnë si burim të virusit dhe “rezervuar të madh të koronavirusit”, shtoi ai. Por rruga drejt njeriut ndoshta nuk ishte e drejtpërdrejtë, por një kafshë tjetër u përfshi në “histori” si ndërmjetës.

Studiuesit e OBSH-së do të duhet ta sqarojnë këtë të panjohur duke hetuar tregun e Wuhan ku u shitën kafshë të gjalla dhe të egra, dhe që lidhen me rastet shumë të hershme të infeksionit. Ata do të kenë shumë gjurmë që nuk i kishin në fillim të pandemisë.

Simon-Lorier thotë se ata mund të kërkojnë kafshë me receptor virusi, proteinë ACE2, e ngjashme me atë që gjendet tek njerëzit. Përmes këtij receptori, virusi “bashkohet” me qelizën.

OBSH thotë se njohuria se si filloi epidemia është “e nevojshme për të parandaluar sulmet e ardhshme në popullatën njerëzore”.

Por ai gjithashtu paralajmëron se procesi i hulumtimit se si sëmundja është përhapur nga kafshët tek njerëzit është “enigmë që do të zgjidhet me vite”.

“Hyrja e virusit të ri te njerëzit është një nga enigmat më të mëdha që epidemiologu dëshiron të zgjidhë dhe shpreson”, shtuan nga organizata.

“Qëllimi është të kuptohet mekanizmi i transmetimit dhe të futen masa për të shmangur shfaqjen e SARS-CoV-3, SARS-CoV-4 e kështu me radhë”, tha Simon-Lorier.