SHKENCTARËT PRETENDOJNË: Ky koronavirus me të vërtetë pëlqen faktin kur njerëzit kalojnë shumë kohë së bashku në ambiente të mbyllura

Rreziku i infeksionit varet kryesisht nga fakti se sa jeni afër njerëzve të tjerë dhe për sa gjatë.

Megjithëse studimet tregojnë se shumica e vatrave të virusit kanë qenë në ambiente të mbyllura, shkencëtarët paralajmërojnë se ekziston edhe ana tjetër e së vërtetës: Shumica e atyre studimeve u zhvilluan në kohën kur qëndrohej në izolim, duke mos dalë nga shtëpitë.

Me lehtësimin e masave të izolimit dhe ardhjen e ditëve të nxehta, gjithnjë e më shumë njerëz po largohen nga shtëpitë e tyre dhe dalin në rrugë, parqe, zona piknikësh. Koha e kaluar jashtë, thonë ekspertët që nga dita e parë e pandemisë, nuk është shumë e rrezikshme, për sa kohë që jeni jashtë vetëm ose me anëtarët e familjes, larg nga gjithë të tjerët.

“Ky virus me të vërtetë pëlqen kur njerëzit kalojnë shumë kohë së bashku në ambiente të mbyllura, duke kaluar nga njëri te tjetri”, thekson William Schaffner, profesor i mjekësisë parandaluese në Universitetin Vanderbilt.

Vetëm për shkakun se virusi përhapet më mirë në ambiente të mbyllura, nuk do të thotë që njerëzit duhet të mblidhen nëpër plazhe dhe parqe.

“Nuk ka asnjë mënyrë për të bërë diçka plotësisht të sigurt,” shton Schaffner, sepse fjala “siguri” do të thotë diçka absolute; në vend të kësaj, duhet të mendohet se si të zvogëloni rrezikun.

Koronavirusi dihet se përhapet kryesisht përmes mikro-pikave që qëndrojnë në ajër kur një person i infektuar kollitet, teshtit ose bisedon. Pra, rreziku i infeksionit varet kryesisht nga fakti se sa jeni afër njerëzve të tjerë dhe për sa gjatë. Prandaj nuk është për t’u habitur që provat sugjerojnë se rreziku i infeksionit është më i lartë në zona të pa ajrosura dhe të mbushura me njerëz.

“Kur njerëzit ishin të kufizuar për të lëvizur, është logjike që infeksioni të përhapet në ambiente të mbyllura, midis anëtarëve të familjes,” shtoi prof. Schaffner i cili beson se gjëja më e rëndësishme është se si sillesh.

“MË E RËNDËSISHME ËSHTË AJO QË JU BËNI, SE SA RRETHI JUAJ”.

“Kur jeni në mëdyshje, mos u bëni kokëfortë dhe përdorni maskë,” këshillon profesori, duke argumentuar se nuk është koha për tubime dhe grupime.