Shtojca për një kafe mjaft të shëndetshme

A është kafeja pija juaj e preferuar?! Nëse po, atëherë këtu janë disa ide se si ta bëni atë më të shëndetshme

Shumë hulumtime kanë treguar për efektet pozitive të kafes mbi shëndetin nëse pihet në sasi të moderuar. Sot po flasim për mënyrën se si kjo pije mund të bëhet edhe më e shëndetshme, por edhe me aromë. Ja disa sugjerime:

Kanella – hidhi kanellë pluhur ose shtoni një shkop kanelle në filxhanin me kafe, kjo erëz ka veti antivirale dhe antibakteriale, e cila është mjaft e dobishme në muajt e ftohtë, ndërkohë që ndihmon në rregullimin e niveleve të sheqerit në gjak dhe triglicerideve.

Xhenxhefil – në kafe mund të shtoni pak xhenxhefil pluhur. Xhenxhefili stimulon tretjen, redukton fryrjet dhe gazrat, ndërsa gjithashtu ndihmon edhe gjatë simptomave të gripit. Kjo erëz gjithashtu i lehtëson dhimbjet e artritit pasiqë vepron si anti-inflamator.

Kakao dhe çokollata e zezë – flavonolet e kakaos përmirësojnë qarkullimin, koncentrimin dhe vigjilencën, e rregullojnë tensionin e gjakut dhe veprojnë si anti-inflamatorë. Shtoni një lugë çaji me kakao ose vendosni pak çokollatë të zezë në kafe që të shkrihet.

Qumështi i kokosit dhe vaji i kokosit – qumështi i kokosit është një alternativë e mirë për të zëvendësuar qumështin e lopës, veçanërisht nëse keni vërejtur se jeni intolernat ndaj laktozës. Qumështi i kokosit dhe vaji i kokosit përmbajnë acid laurik, i cili stimulon imunitetin dhe në trup shëndërohet në monolaurin, përbërje kjo me veti antivirale dhe antibakteriale. Sa i përket sasisë, fillimisht kafen mund ta provoni me një shtesë prej 1 lugë gjelle qumësht kokosit ose 1 lugë vaj kokosi.

Sheqeri i kokosit – ky lloj sheqeri nuk fitohet nga kokosi, por nga lëngu i lules së palmës së kokosit. Përmban sasi të vogla të zinkut, hekurit, magnezit dhe vitaminave të kompleksit B. Sheqeri i kokosit përmban inulin i cili vepron si prebiotik dhe kështu stimulon rritjen e baktereve të mira në zorrë.

Ekstrakt vanilje – Vanilja përdoret tradicionalisht jo vetëm për shkak të aromës së ëmbël, por edhe për shkakt të vetive mjekësore. Vanilija e stimulon përqendrimin dhe vepron në mënyrë të favorshme në gjendjen shpirtërore. Aroma e vaniljes gjithashtu ndihmon në kontrollin e oreksit.