Si të largoni zbokthin përgjithmonë?

Këto janë disa receta natyrale, të cilat janë provuar si më efektivet në luftën kundër zbokthit.

Zbokthi përbën qeliza të vdekura të lëkurës së kokës, të cilat vazhdimisht qërohen. Shkaqet e këtij fenomeni mund të jenë të shumta, por ndër më të zakonshmet janë stresi, seborrhoea dhe gjëndrat dhjamore tepër aktive.

Këto janë disa receta natyrale, të cilat janë provuar si më efektivet në luftën kundër zbokthit.

Në një litër ujë të zier vendoseni një grusht gjethe dafine. Tenxheren mbulojeni dhe lëreni të qëndrojë për 20 minuta, pastaj kullojeni. Kur të ftohet me të fërkojeni mirë kokën, ndërsa pas një ore pastrojeni me ujë të pastër.

Uthulla e mollës njihet për faktin se i shkatërron kërpudhat dhe bakteret, prandaj nuk është habi që rekomandohet në luftën kundër zbokthit. 100 ml uthull molle treteni me 100 ml ujë dhe pasi të keni larë flokët me shampo, aplikojeni këtë tretje tek flokët.

Nëse keni më shumë kohë, kokën fërkojeni me jogurt dhe lereni të qëndrojë për gjysmë ore dhe pastaj lajeni atë. Jogurti në vete përmban shumë baktere të mira, të cilat mund të ndihmojnë në luftën kundër kërpudhave.

Vajra

Vaji i pemës së çajit, gjithashtu është i njohur për vetitë e shumta anti-inflamatore. Shtatë pika të vajit të pemës së çajit përzieni me një lugë vaj ulliri dhe aplikojeni në kokë, pastaj kokën mbështjelleni me shall dhe lëreni të veproj gjatë gjithë natës.

Konsumimi i vajit të lirit, një deri në dy lugë në ditë, mund të ndihmojë në luftën kundër zbokthit. Ky vaj përmban acide yndyrore esenciale, të cilat ndihmojnë në trajtimin e sëmundjeve të shumta të lëkurës, kështu që do të ndihmojë edhe në largimin e zbokthit. Por, duhet të keni durim, pasiqë mund të duhen disa muaj për të vërejtur përmirësimin.