Si të vetëkontrolloni gjoksin?

Kanceri i gjirit është kanceri më i zakonshëm i diagnostikuar tek femrat, për këtë arsye është mjaft e rëndësishme që të bëni kontrolle të rregullta duke i prekur.

Mos prisni ekzaminimin te gjinekologu, kontrolloni sa më shpesh gjinjtë tuaj nëse rastësisht mund të ketë ndonjë gungë. Kjo është një nga masat më të rëndësishme shëndetësore të cilën mund t’a ndërmerrni për veten. Mjaft e rëndësishme është që të krijoni shprehi të rregullt (të paktën një herë në gjashtë muaj) të vetë-ekzaminimit, me qëllim që të kuptoni kur ka ndryshime. Shmangni vetëkontrollin gjatë ciklit menstrual sepse atëherë shfaqen shpesh gungat.

Si të vetëkontrolloheni në mënyrën e duhur?

Hapi i parë – vëzhgoni gjoksin para pasqyrës: Fillimisht lëshoni duart përgjatë trupit dhe në pasqyrë kontrolloni nëse ka ndryshuar madhësia e gjoksit, si dhe nëse thithat e kanë ndryshuar ngjyrën. Pastaj shqyrtoni nëse gjoksi sillet njëjtë kur lëvizni ose nëse ka ndonjë zgjatje.

Hapi i dytë – kontrolloni gjoksin derisa qëndroni: Njërën dorë vendoseni prapa kokës, ndërsa me gishtat e dorës tjerë prekni gjoksin, pastaj prekni me presione të ndryshme. Kur të keni mbaruar me prekjen e të gjitha pjesëve të gjoksit, filloni me lëvizje rrethore. Pastaj, me gishtat kaloni nga lart poshtë dhe nga e majta në të djathtë.

Hapi i tretë – kontrolloni thithat: Tani shtypni thithat. Nëse rrjedh lëng, menjëherë kërkoni ndihmë mjekësore.

Hapi i katërt – në pozicion të shtrirë: Edhe një herë, derisa jeni në pozicion të shtrirë me gishta kontrolloni gjoksin, sidomos vëmendje të veçantë kushtojini pjesës së poshtme të gjoksit.

Hapi i pestë – mos i harroni sqetullat: Aty ka gjëndra limfatike, kështu që duhet të kontrolloni edhe këtë pjesë.

Çfarë kërkojmë kur e prekim gjoksin?

Gjinjtë kryesisht përbëhen nga indet yndyrore dhe kanalet e qumështit gjë që i bën ato relativisht të butë. Për shkak të kësaj ne kërkojmë pjesë të forta, të ashtuquajtura gunga ose nyje, të cilat “e trashin” indin. Veç kësaj, duhet të kontrolloni nëse ndryshimi mbetet në vend ose lëviz.


Këshillë: Me rëndësi është që të mos bëni menjëherë panik nëse diçka nuk është “në rregull”. Gjegjësisht, shumë ndryshime nuk janë të rrezikshme. Vetëkontrollin asnjëherë mos e zëvendësoni me ekzaminimet e rregullta mjekësore.