Meningjiti vret më shumë fëmijë nën moshën pesë vjeçare se çdo sëmundje tjetër infektive. Është e mundur të ngatërrohet me gripin ose me një sëmundje tjetër, sepse shumë nga simptomat nënvlerësohen. Një fëmijë i sëmurë zakonisht ka temperaturë, dhimbje koke dhe skuqje që nuk largohet me presion dhe gjithashtu do të vjell. Disa fëmijë mund të përjetojnë ndjeshmëri ndaj dritës së fortë, qafë të ngurtë ose konvulsione.
Prindërit gjithashtu mund të vërejnë se fëmijët e tyre janë të përgjumur ose kanë vështirësi të zgjohen edhe pasi kanë bërë një sy gjumë, raporton “The Sun”. Megjithatë, sipas Shërbimit Shëndetësor Kombëtar të Mbretërisë së Bashkuar (NHS), disa fëmijë nuk shfaqin fare simptoma të sëmundjes.
Sipas Fondacionit për kërkimin e meningjitit, gjendja i referohet inflamacionit të mbështjellësit rreth trurit dhe palcës kurrizore. Për këtë shkak, është shumë e rëndësishme të njihen simptomat dhe të fillohet mjekimi në kohë.
Pas përdorimit të antibiotikëve, shumica e fëmijëve shërohen plotësisht, por disa kanë probleme serioze dhe afatgjata shëndetësore. Këtu përfshihet humbja e dëgjimit ose shikimit, vështirësi në kujtesë dhe koncentrim, konvulsione dhe probleme të ekuilibrit. NHS vlerëson se një në çdo 10 raste të meningjitit bakterial është fatale.