Infeksionet respiratore të traktit të sipërm të frymëmarrjes janë shkakarët më të zakonshëm për shkak të së cilave pacientët shkojnë për kontroll tek mjeku. Këto infeksione ndikojnë në: kanalet e hundës, zgavrën, bajamet, sinuset dhe pjesët e sipërme të tubit respirator. Ato mund të shfaqen gjatë gjithë vitit, por sezoni i tyre është vjeshta dhe dimri, periudha nga shtatori deri në prill. Gjatë kësaj periudhe, fëmijët dhe të rriturit qëndrojnë në dhoma të mbyllura dhe të ngrohta për një periudhë më të gjatë kohore. Ajri i thatë në hapësirat e pa ajrosura e bën mukozën e rrugëve respiratore më të ndjeshme ndaj infeksioneve virale.
Simptomat e zakonshme të këtyre infeksioneve janë:
- Sekreti nga hunda;
- Hundët e zëna;
- Teshtima;
- Kollitja;
- Kruarje, djegie ose dhimbje të fytit;
- Dhimbje gajtë gëlltitjes;
- Dobësi e përgjithshme;
- Dhimbje koke;
- Vështirësi në frymëmarrje.
Përveç kësaj, mund të shfaqen edhe dhimbje të muskujve, temeraturë e lartë ose ethe, të përziera dhe humbje të oreksit. Këto simptoma zakonisht zgjasin 3 deri në 14 ditë. Nëse shfaqen komplikime, simptomat vazhdojnë edhe pas 14 ditësh.
Këto infeksione janë ngjitëse, shkaktohen nga thithja e pikave të vogla në ajër të cilat janë të kontaminuara me mikroorganizmat. Ata i hedh jashtë personi i infektuar përmes teshtitjes dhe kollitjes. Transmetimi i infeksionit mund të bëhet edhe përmes objekteve në afërsi të pacientit. Objektet ndoten me duart e pa pastra të pacientit, tek të cilat janë ngjitur mikroorganizma pasi ai ka prekur hundën ose gojën e tij. Në këtë mënyrë, ndodhin epidemitë e vogla të infeksioneve të traktit të sipërm respirator në kolektivat, kopshtet dhe shkollat.
Shumica e infeksioneve respiratore të traktit të sipërm janë infeksione virale vetë-shëruese të shkaktuara nga një gamë e gjerë virusesh: rinovirusi, virusi i gripit, adenovirusi dhe shumë të tjerë. Më pak të zakonshme janë bakteret (streptokoku, hemofili, stafilokoku).