Pothuajse 40% e njerëzve me artrit reumatoid, përveç dhimbjeve në nyje, simptoma kanë edhe në pjesë të tjera të trupit si lëkura, muskujt, eshtrat, sytë dhe mushkëritë. Përveç dhimbjeve dhe ënjtjeve në nyje, pacientët me artrit reumatoid nuk duhet t’i neglizhojnë edhe simptomat tjera të pazakonshme në pjesë të tjera të trupit.
Probleme me frymëmarrjen
Pacientët me këtë sëmundje kanë një rrezik më të madh ndaj zhvillimit të plagëve në indet e mushkërive. Menjëherë kërkoni ndihmë mjekësore nëse kolliteni shpesh, keni kollë që nuk kalon ose nuk mund të mbusheni me frymë gjatë kryerjes së aktiviteteve ditore.
Mpirja
Nyjet e ënjtura mund të shtypin mbi nerva, kështu që shfaqet ndjesia e shpimit të gjilpërave në pjesë të ndryshme të trupit. Zakonisht ndodh në bërrylat dhe kyçet e dorës. Inflamacioni i mureve të enëve të gjakut – vaskuliti, gjithashtu shfaqet tek pacientët me artrit reumatoid dhe shkakton mpirje dhe ndjesi shpimi gjilpërash.
Probleme me sytë
Inflamacioni që vjen me këtë sëmundje mund të dëmtojë edhe sytë, sidomos kornean dhe pjesën e bardhë të syrit. Nëse dhimbjet në sy dhe skuqja intensifikohen, menjëherë duhet të kërkohet ndihmë mjekësors, sidomos nëse vëreni ndonjë ndryshim që ndodh në shikim tuja brenda pak ditësh ose javësh.
Humbja e dëgjimit
Disa studime kanë treguar se kjo sëmundje mund të shkaktojë probleme me dëgjimin. Problem të tillë mund të shkaktojnë edhe barnat që përdoren për trajtimin e artritit reumatoid.
Sy dhe gojë e thatë
Disa njerëz me këtë sëmundje, zhvillojnë sindromën e Sjögren. Kjo është sëmundje kronike inflamatore e cila karakterizohet me thatësi të theksuar të syve, gojës dhe mukozave të tjera, kështu që individi mund të ketë probleme me përtypjen dhe gëlltitjen, ose mund të ketë ndjesi të çuditshme në sy. Tek gratë mund të shfaqet edhe thatësia vaginale ose dhimbja gjatë marrëdhënieve seksuale.