SIMPTOMË SPECIFIKE: Keni rezultuar pozitiv me koronavirus? Ja kur duhet të qëndroni në shtëpi dhe kur të shkoni menjëherë në spital

Nëse vëreni se keni probleme me frymëmarrjen, duhet të kërkoni ndihmë mjekësore.

Kushdo që është pozitiv me COVID-19 jo domosdosshmërisht duhet të kërkojë ndihmë mjekësore. Të rinjtë, përndryshe të shëndetshëm, pa sëmundje shoqëruese që kanë simptoma të lehta mund të shërohen në shtëpi.

“Shumica e rasteve të COVID-19 zgjidhen në të vërtetë pa pasur nevojë për barna me recetë apo kujdes të avancuar”, shpjegon Dr. Melanie Swift nga klinika Mayo, duke cituar disa këshilla shtëpiake për pacientët me COVID-19.

Nëse keni simptoma të lehta, Dr. Swift ju këshillon, të pushoni, pini shumë lëngje dhe merrni medikamente pa recetë për simptomat e etheve. Ajo thotë se është e rëndësishme të sigurohemi që simptomat e lehta të mos përparojnë tek ata që mund të kërkojnë kujdes mjekësor.

SIMPTOMA MË SERIOZE

“Nëse konstatoni se keni probleme me frymëmarrjen, duhet të kërkoni ndihmë mjekësore. Dhimbja në gjoks, ose presioni në kraharor, është një arsye tjetër për të kërkuar kujdes mjekësor, si dhe nëse ndiheni konfuz ose keni marramendje, ose nëse ndjeheni sikur do të ju bjerë të fikët. Gjithashtu, nëse niveli juaj i oksigjenit bie shumë dhe ju ose persona të tjerë vini re se dukeni shumë të zbehtë apo edhe blu, veçanërisht buzët apo majat e gishtave, kjo është shenjë se keni nevojë për më shumë oksigjen dhe se duhet të shkoni menjëherë në spital”, tha Dr. Swift.

Persona të caktuar do të duhet të vizitohen tek mjeku nëse rezultojnë pozitivë me COVID-19 dhe të marrin disa ilaçe për shkak të sëmundjeve të tjera kronike. Shumë sëmundje kronike mund të përkeqësohen pas infeksionit me koronavirus dhe do të kenë nevojë për trajtim, kështu që nëse bëni një test në shtëpi, mirëpo keni një sëmundje kronike, telefononi mjekun tuaj, edhe nëse simptomat e COVID-19 janë të lehta dhe trajtojini në shtëpi. Shumica e njerëzve ende mund të qëndrojnë në shtëpi, të kujdesen për veten, të pushojnë dhe të qëndrojnë të hidratuar mirë.