Një numër i madh i pacientëve që shërohen nga COVID-19 ka të ngjarë të jenë në rrezik më të madh të zhvillimit të sëmundjes mendore, thanë të hënën psikiatrit, pasi një studim i madh zbuloi se 20 përqind e të infektuarve me koronavirus u diagnostikuan me çrregullim mendor brenda 90 ditësh.
Ankthi, depresioni dhe pagjumësia ishin gjendjet më të zakonshme midis pacientëve që shërohen nga COVID-19, sipas një studimi nga Universiteti i Oksfordit. Ekziston gjithashtu rreziku dukshëm më i lartë i demencës, gjendje e dëmtimit të trurit.
“Njerëzit janë të shqetësuar se kur të shërohen nga COVID-19 ata do të ekspozohen ndaj problemeve të shëndetit mendor, ndërsa gjetjet tona tregojnë se kjo ka shumë të ngjarë,” tha Paul Harrison, profesor i psikiatrisë në Oksford që beson se mjekët dhe shkencëtarët në të gjithë botën urgjentisht duhet të hetojnë shkaqet dhe të identifikojnë mënyra të reja për të trajtuar sëmundjen mendore pas COVID-19. Shërbimet shëndetësore duhet të jenë të përgatitur për të siguruar kujdes, veçanërisht pasi rezultatet tona ka të ngjarë të nënvlerësohen”, thekson Harrison.
Studimi, i botuar në revistën The Lancet Psychiatry, analizoi të dhënat elektronike të shëndetit të 69 milion njerëzve në Shtetet e Bashkuara, duke përfshirë më shumë se 62.000 raste të COVID-19. Gjetjet ka të ngjarë të jenë të njëjta për të gjithë të prekurit nga COVID-19 në të gjithë botën, thanë studiuesit.
Brenda tre muajve pas testimit pozitiv me COVID-19, çdo i pesti pacient që mbijetoi u diagnostikua me ankth, depresion ose pagjumësi.
Studimi gjithashtu zbuloi se njerëzit me sëmundje mendore para-ekzistuese kishin 65 përqind më shumë të ngjarë të diagnostikoheshin me COVID-19 sesa ata me sëmundje të tjera. Këto zbulime rrisin provat se COVID-19 mund të ndikojë në tru dhe mendje, duke rritur rrezikun e një sërë sëmundjesh psikiatrike.
“Kjo është ndoshta për shkak të një kombinimi të stresuesve psikologjikë të lidhur me këtë pandemi të veçantë dhe efektet fizike të sëmundjes,” tha Mile Bloomfield, psikiatër në University College London.