Disa studime kanë treguar se virusi SARS-CoV-2 mund të shkaktojë plakje të përshpejtuar. Studiuesit kanë sugjeruar se truri i disa pacientëve mund të plaket deri në 10 vjet, por një studim i fundit i botuar në Journal of Clinical Medicine zbuloi se efekti mendor i qëndrueshëm i formës së rëndë të COVID-19 mund të jetë aq i madh sa 20 vjet plakje.
NDIKIMI I MADH NË AFTËSITË NJOHËSE
Studimi u krye nga studiues nga Universiteti i Kembrixhit dhe Kolegji Imperial i Londrës, ndërsa përfshiu 46 të anketuar të trajtuar me COVID-19.
Studiuesit zbuluan se pacientët vuanin nga dëmtime dhe humbje njohëse, të ngjashme me ato që shihen zakonisht tek njerëzit e moshës 50 deri në 70 vjeç, pra efekti ishte sikur të kishin humbur 10 pikë IQ.
Ekipi hulumtues zbuloi gjithashtu se këto efekte ishin të pranishme për më shumë se gjashtë muaj pas sëmundjes së rëndë të COVID-19, ndërsa shërimi ishte shumë gradual.
“Dhjetëra mijëra njerëz në Angli kanë kaluar nëpër njësitë e kujdesit intensiv COVID-19 shumë janë sëmurë gjithashtu pa u shtruar në spital. “Kjo do të thotë se shumë njerëz po përjetojnë probleme kognitive muaj pas sëmundjes”, tha autori i studimit, profesor Adam Hampshire, duke shtuar se kishte nevojë urgjente për të gjetur mënyra për të ndihmuar këta njerëz.
NJË SERË SIMPTOMASH SHFAQEN SHUMË MUAJ PASI E KENI KALUAR KOVIDIN
Ka gjithnjë e më shumë prova se COVID-19 ka efekt të fortë në tru, duke shkaktuar probleme afatgjata njohëse dhe mendore.
Simptoma të tilla si mjegulla e trurit, lodhja, shqetësimet e gjumit, ankthi, pacientët raportojnë muaj pas shërimit, pra pas testit negativ për koronavirusin.
Sipas një studimi të kohëve të fundit, pacientët që shërohen nga forma e rëndë e kovidit vuanin nga humbja e aftësisë njohëse.
“Dëmtimi njohës është i zakonshëm për një gamë të gjerë çrregullimesh neurologjike, duke përfshirë çmendurinë dhe madje edhe plakjen rutinë. Por modelet që pamë në COVID-19 janë të ndryshme”, shton autori i një studimi tjetër, profesor David Menon.
Testet e trurit u kryen te pacientët e përfshirë në studim për një mesatare prej gjashtë muajsh pasi e kaluan kovidin. Kështu u matën aftësitë e tyre mendore, duke përfshirë kujtesën, vëmendjen dhe arsyetimin. Rezultatet më pas u krahasuan me individë të shëndetshëm.
DISA PACIENTË MUND TË MOS SHËROHEN KURRË PLOTËSISHT
Të dhënat treguan se personat që kaluan COVID-19 ishin më pak të saktë dhe se ata kishin një kohë më të ngadaltë të përgjigjes sesa njerëzit që ishin të shëndetshëm dhe nuk u sëmurën. Efekti ishte edhe më i theksuar te pacientët me respiratorë.
Prof. Menon thotë se disa pacientë u ndoqën për 10 muaj pas fillimit të sëmundjes dhe treguan një përmirësim të lehtë.
“Edhe pse nuk është i rëndësishëm statistikisht, të paktën është një hap në drejtimin e duhur. Por ekziston mundësia që disa prej tyre të mos shërohen kurrë plotësisht”.
Studiuesit theksojnë gjithashtu se dëmtime të lehta janë vërejtur te pacientët me formë më të lehtë të COVID-19.