STUDIM I RI: Ushtrimet e rregullta mund të reduktojnë stresin tek fëmijët e moshës shkollore

Studiuesit zbuluan se fëmijët e moshës shkollore që ushtroheshin për më shumë se një orë në ditë kishin nivele më të ulëta të kortizolit, hormonit të stresit, sesa ata fëmijë që nuk ushtronin.

Ushtrimet e përditshme dhe aktiviteti fizik mund të jenë shumë të dobishme për fëmijët, raporton “Times of India”. Siç tregon studimi i fundit i publikuar në “Journal of Science and Medicine in Sport”, ushtrimet e përditshme mund t’i ndihmojnë fëmijët e moshës shkollore të përballojnë më lehtë stresin.

Studiuesit zbuluan se fëmijët e moshës shkollore që ushtroheshin për më shumë se një orë në ditë kishin nivele më të ulëta të kortizolit, hormonit të stresit, sesa ata fëmijë që nuk ushtroheshin. Siç shpjegojnë ekspertët, është pikërisht niveli i kortizolit në trup ai që është jashtëzakonisht i rëndësishëm për menaxhimin e stresit, por edhe për ruajtjen e shëndetit në përgjithësi.

“Fëmijët rregullisht aktivë duket se kanë një përgjigje fiziologjike të reduktuar ndaj stresit sesa fëmijët që nuk lëvizin aq sa duhet ose nuk kalojnë mjaftueshëm kohë jashtë”, thotë Manuel Hanke, një nga autorët kryesorë të studimit. Me mendimin e tij pajtohen edhe kolegët e tij.

“Kur fëmijët lëvizin rregullisht, kërcejnë, ushtrojnë ose ngjiten, ata janë më pak të ndjeshëm ndaj stresit dhe janë më rezistent ndaj çdo situate që do të ishte problem për të tjerët. Përveç kësaj, trupi i tyre fillon të lidh kortizolin me diçka pozitive. Reagimi i trupit ka gjithmonë një komponent njohës dhe shoqërimi i tij pozitiv ndihmon në parandalimin e problemeve të përqendrimit, gjë që është mirë kur fëmijët kanë një test në shkollë”, shton profesor Sebastian Ludiga.