Sipas një studimi të publikuar në revistën “Clinical Infectious Diseases”, koha më e mirë për të testuar Covid-19 me një test në shtëpi është dita e katërt pas shfaqjes së simptomave.
Studiuesit vëzhguan gati 350 njerëz dhe zbuluan se sasia e virusit arriti kulmin disa ditë pasi u shfaqën simptomat.
“Ngarkesa virale i referohet vetëm sasisë së virusit që riprodhohet në trupin tuaj, kështu që sa më shumë virus që riprodhohet, aq më i madh është shansi për një test pozitiv,” tha Xhon Braunshtajn, drejtor kryesor i inovacionit në Spitalin e Fëmijëve në Boston.
Ai shpjegoi se ndërsa infeksioni përparon, rritet edhe sasia e virusit që riprodhohet në trup, raporton ABC News. Studimi tregoi se testet në shtëpi ishin më të sakta në ditën e katërt pas fillimit të simptomave.
Edhe pse disa e kanë zbuluar infeksionin në tre ditët e para, ata kanë më shumë gjasa të jenë negative gjatë asaj periudhe. Prandaj, autorët e studimit deklarojnë se gjetjet e tyre sugjerojnë që njerëzit nuk duhet të përjashtojnë Covid nëse kanë rezultuar negativ herët pas fillimit të simptomave.
Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) rekomandojnë që të testoheni menjëherë nëse keni simptoma dhe, nëse rezultati është negativ, të bëni një test tjetër të paktën 48 orë më vonë.