Maskat dhe numri i kufizuar i njerëzve janë masa të mira, por teknologjia e mirë e ajrosjes është shumë më e rëndësishme në zvogëlimin e përhapjes së koronavirusit në ngjarje publike që zhvillohen në ambiente të mbyllura, tregon studimi i ri gjerman.
Shkencëtarët që morën pjesë në hulumtim thonë se rezultatet janë të zbatueshme për të shtypur epideminë në popullatën e përgjithshme.
Rreth 1,500 vullnetarë me maska mbrojtëse dhe dezinfektues duarsh, si dhe duke respektuar distancën fizike, morën pjesë në një koncert në Leipzig në studimin e kryer në gusht. Koncerti u mbajt në ambiente të mbyllura, duke matur përhapjen e virusit në rast të një grupimi më të madh njerëzish.
Shkencëtarët simuluan tre skenarë, duke ndryshuar numrin e vizitorëve dhe distancën fizike. Kështu ata krijuan një model kompjuterik për të analizuar qarkullimin e aerosoleve nga shikuesit virtual të infektuar.
“Për ne, gjëja më e rëndësishme është zbulimi se sa e rëndësishme është teknologjia e mirë e ajrosjes në të gjitha këto. Ky është çelësi për të zvogëluar rrezikun e infeksionit”, thotë Stefan Moritz, autori i studimit.
Studimi zbuloi gjithashtu se zvogëlimi i kapacitetit të vizitorëve, hyrjet e shumta në salla dhe rregullimet e duhura të uljes kanë ndikim të madh në numrin e kontakteve mes njerëzve.
Rekomandohet të konsumoni ushqim vetëm derisa jeni ulur, zona e pritjes duhet të jetë e hapur, maskat duhet të mbahen në fytyrë gjatë gjithë koncertit dhe duhet të kontrollohet që të gjithë personat të ndjekin rregullat e higjienës.
“Ngjarjet publike mund të inkurajojnë përhapjen e patogjenëve, por nëse ndiqen masat e higjienës, rreziku është shumë i vogël,” thanë shkencëtarët.