Miliona njerëz në të gjithë botën përdorin statina, ilaçet që ulin nivelin e kolesterolit në gjak dhe parandalojnë rrezikun e zhvillimit të sëmundjeve të zemrës. Një studim i ri amerikan ka treguar se statinat, “ilaçe kundër yndyrës” zvogëlojnë vdekshmërinë nga COVID-19, raporton portali Medical News Today.
Përveç qëllimit të tyre themelor, statinat gjithashtu kanë efekt të fortë anti-inflamator, antikoagulant dhe antiviral, ndërsa të gjitha këto mund të ndihmojnë në zvogëlimin e komplikimeve që lidhen me pamjen e rëndë klinike të COVID-19.
Prandaj nuk është për t’u habitur fakti se një grup shkencëtarësh amerikanë, përfshirë kardiologët që kujdeseshin për pacientët me COVID-19, hetonin efektin e statinave tek kjo sëmundje.
Ata krahasuan rezultatin e trajtimit të 1296 pacientëve të cilët u shtruan në spital për koronavirusin. Gjysma e tyre përdornin statina rregullisht para infeksionit dhe gjysma jo. Përdorimi i statinës u gjet për të ulur vdekshmërinë me 50 përqind brenda një muaji të shtrimit në spital.
Ky është studimi më i madh i këtij lloji, i kryer ndonjëherë, por nuk është i vetmi. Një studim i kryer vitin e kaluar në Singapor zbuloi se personat që përdorën statina kishin më pak të ngjarë të përfundonin në njësinë e kujdesit intensiv për shkak të COVID-19 sesa ata që nuk i morën ato si terapi standarde.
Studimi amerikan gjithashtu zbuloi se pacientët që merrnin statina shëroheshin më shpejt nga koronavirusi.
Shkencëtarët besojnë se kjo mund të jetë sepse statinat, përveçse ulin inflamacionin dhe rrezikun e mpiksjes, largojnë kolesterolin nga mbështjellësi i jashtëm i qelizave. Receptorët me të cilët lidhet SARS-CoV-2, virusi që shkakton COVID-19, ndodhen në pjesën e membranës qelizore ku depozitohet kolesteroli. Pa të, virusi nuk mund të hynte në qelizë, treguan rezultatet e studimit.
“Ndërsa provat klinike konfirmojnë rezultatet, statinat mund të provojnë të jenë strategji e lirë dhe efektive terapeutike në luftën kundër koronavirusit”, theksoi autori kryesor i studimit, Dr. Mahesh W. Madhavan, kardiolog në Universitetin Columbia Irving Medical Center.