A mund të dëmtojë lëkurën përdorimi i shpeshtë i dezinfektuesve të duarve? Eksperti gjerman Johannes Knobloch, shefi i departamentit të higjienës në Qendrën Mjekësore Universitare në Hamburg, thotë jo.
Ai argumenton se përdorimi i shtuar i dezinfektuesve të duarve që nga fillimi i pandemisë së koronavirusit është krejtësisht i padëmshëm dhe se vetëm në raste të rralla bakteret mund të bëhen më rezistente ndaj dezinfektuesve – por jo edhe imune, vetëm pak më rezistente.
“Por një fenomen i tillë nuk është vërejtur në viruse,” thotë Knobloch.
Përbërësi kryesor në shumicën e dezinfektuesve është alkooli. “Nuk ka asnjë provë që në ndonjë mënyrë krijon rezistencë ndaj baktereve dhe viruseve”.
Sidomos kur bëhet fjalë për produkte të testuara dermatologjikisht, ato tolerohen jashtëzakonisht mirë dhe nuk do të shkaktojnë reaksion të lëkurës.
Rreth 15,000 të punësuar në Qendrën Mjekësore Universitare në Hamburg përdorin deri në 40 herë në ditë gjatë orarit të punës së tyre.
“Disa intoleranca ose reaksione alergjike shfaqen jashtëzakonisht rrallë, por madje edhe atëherë kjo është kryesisht si pasojë e aditivëve aromatikë ose hidratues”, thotë eksperti gjerman.
Kirurgët, shpjegon Prof. Knobloch dezinfektojnë duart për tre minuta para operacionit. “Ata zhytin lëkurën në alkool dhe nuk kanë asnjë pasojë.”
Ai gjithashtu thekson që dezinfektimi i duarve me përmbajtje alkooli është ndoshta “më miqësor” për lëkurën sesa larja e shpeshtë me sapun.
Edhe Shoqata Gjermane e Dermatologjisë gjithashtu këshillon që është më mirë që lëkura të përdorë dezinfektues sesa sapun, pas së cilës do të ishte ideale të lyeni duart me losion.