Efektiviteti i dozës së tretë të vaksinës Pfizer ose Moderna kundër koronavirusit reduktohet ndjeshëm në muajin e katërt pas marrjes së kësaj doze shtesë, theuhet në studimin e fundit të publikuar tre ditë më parë nga Qendra amerikane për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve (CDC).
Deri më tani, provat shkencore kanë treguar se efektiviteti i vaksinave zvogëlohet pas të dyja dozave, por relativisht është raportuar pak për kohëzgjatjen e mbrojtjes pas marrjes së dozës së tretë shtesë përforcuese.
Studimi i ri bazohet në të dhënat e 241.204 vizitave në shërbimet e urgjencës dhe 93.408 hospitalizimeve të të rriturve me simptoma të COVID-19 në periudhën nga 26 gusht 2021 deri më 22 janar 2022.
Efikasiteti i vaksinës u vlerësua bazuar në një krahasim të probabilitetit të një testi pozitiv të koronavirusit midis pacientëve të vaksinuar dhe të pavaksinuar dhe përdorimit të metodave të kontrollit statistikor për javën kalendarike, zonën gjeografike, me përshtatje sipas moshës, nivelit lokal të transmetimit dhe karakteristikave të pacientit si p.sh. komorbiditetet.
Gjatë periudhës së dominuar nga omicron, efikasiteti i vaksinës në rastin e të anketuarve që shkuan në departamentin e urgjencës për simptoma të ngjashme me COVID-19 ishte 87 për qind në dy muajt e parë pas dozës së tretë, por ra në 66 për qind në muajin e katërt.
Efektiviteti i vaksinave kundër hospitalizimit ishte 91 për qind në dy muajt e parë, por ra në 78 për qind në muajin e katërt pas dozës së tretë.
“Njohja se mbrojtja e ofruar nga vaksinat e bazuara në ARN zvogëlohet në muajt pas marrjes së dozës së tretë të vaksinës, përforcon rëndësinë e shqyrtimit të mëtejshëm të dozave shtesë për të ruajtur ose përmirësuar mbrojtjen,” përfunduan autorët.
Sipas Anthony Fauci, këshilltar kryesor mjekësor në Shtëpinë e Bardhë, një dozë e katërt ka të ngjarë të jetë e nevojshme për grupet e njerëzve me një përgjigje më të dobët imune, siç janë të moshuarit dhe individët me imunitet të kompromentuar.