Terapitë e përdorura për trajtimin e infeksionit me COVID-19 kanë rritur shumë shanset e mbijetesës së pacientëve që nga fillimi i pandemisë, por studiuesit besojnë se forma kryesore e terapisë në parandalimin dhe trajtimin e sëmundjes – antitrupat monoklonalë, nuk do të funksionojë kundër infeksionit me nënvariantin e ri, omicron BQ.1.1.
Omicron BQ.1.1, i cili së bashku me nënvariantin BQ.1 tani përbën shumicën e infeksioneve dhe po përhapet me shpejtësi në të gjitha vendet, është rezistent ndaj terapive të miratuara aktualisht me antitrupa, thonë shkencëtarët në Institutin kërkimor në Gjermani.
Analiza e nëntorit u botua në revistën shkencore The Lancet Infectious Diseases, ndërsa autorët e saj u bëjnë thirrje mjekëve që të mos mbështeten më vetëm në trajtimin e antitrupave në zonat ku nënvarianti BQ.1.1 është i përhapur.
Kur trajtojnë pacientë me rrezik të lartë të infektuar me koronavirus, mjekët duhet të konsiderojnë marrjen e barnave të tjera si paxlovid, thotë autori i studimit Markus Hoffmann.
Studiuesit gjithashtu besojnë se në rrethanat e reja, do të duhet të zhvillohen terapi të reja antitrupash për të ruajtur arsenalin shëndetësor të krijuar për të luftuar rastet e rënda të COVID-19.
Në testet laboratorike të kulturës së qelizave, studiuesit zbuluan se nënvarianti BQ.1.1 nuk arriti të neutralizohej nga antitrupa të vetëm ose përzierje antitrupash.
Ata kujtojnë se BQ.1.1 është nënvarianti më i fundit i SARS-CoV-2, i cili tregon rezistencë ndaj metodave ekzistuese të trajtimit të infeksionit me koronavirus. Ata gjithashtu shpjegojnë se shkaku i rezistencës është mutacioni i të ashtuquajturës spike proteina e koronavirusit.
“Ndërsa rezistenca ndaj varianteve SARS-CoV-2 rritet, është e nevojshme t’i drejtohemi zhvillimit të trajtimeve të reja të antitrupave që janë përshtatur në mënyrë specifike për variantet qarkulluese dhe të ardhshme të virusit,” thotë Stefan Pelmann, kreu i Departamentit të biologjisë së sëmundjeve infektive në Qendrën kërkimore.