Sulmi në tru mund të jetë simptoma e parë e COVID-19 tek pacientët e rinj, tregon studimi i ri kanadez. Sipas këtij studimi, sulmi ndodh relativisht shpesh në mesin e pacientëve me koronavirus dhe ka tendencë të ketë pasoja shkatërruese, dhe vlerësohet se pothuajse një në pesë pacientë të pranuar në spital me COVID-19 përjeton sulm në tru.
Studimi, i botuar në revistën Neurology, revista mjekësore e Akademisë Amerikane të Neurologjisë, zbuloi se shkalla e vdekshmërisë së pacientëve me COVID-19 të cilët gjithashtu kishin sulm në tru ishte “jashtëzakonisht e lartë”.
Studiuesit zbuluan se rreth 1.8% e pacientëve me COVID-19 përjetojnë sulm në tru ose kur pranohen në spital ose vetëm pak më parë.
“Kjo është shifër që mund të duket e vogël, por rezulton në shumë raste, duke qenë se miliona njerëz në të gjithë botën janë të shtruar në spital me atë sëmundje”, shpjegon njëri nga autorët e studimit, Prof. Luciano Spozato, neurolog në Universitetin e Ontario.
“Në fakt është numër shumë i madh. Në krahasim, vetëm 0.2% e pacientëve me gritp të shtruar në spital përjetojnë sulm në tru, ndërsa 0.75% e pacientëve të shtruar në spital me virusin SARS-CoV-1, i cili shkakton SARS, kanë sulm”, shton Spozato.
Studiuesit gjithashtu zbuluan se, edhe në afërsisht gjysmën e pacientëve nën moshën 50 vjeç, sulmi në tru ishte simptoma e tyre e parë e COVID-19.
Kjo do të thotë se ishin raste krejtësisht asimptomatike, para se të pranoheshin”, shtoi neurologu.
Studimi gjithashtu zbuloi se 35 deri në 45 për qind e pacientëve me COVID-19 me sulm në tru vdiqën gjatë qëndrimit në spital.
Ekipi hulumtues analizoi 125 raste, si dhe 35 raste shtesë të pabotuara. Midis pacientëve në studim, të gjithë kishin një faktor rreziku, siç është mbipesha, hipertensioni ose diabeti, ndërsa 97% u diagnostikuan me formë të rëndë të COVID-19.