Varianti delta i koronavirusit, i cili u shfaq në Indi dhe krijoi kaos dhe viktima të tmerrshme njerëzore në atë vend, po përhapet gjerësisht në Evropë dhe ka arritur edhe në Maqedoni. Varianti i ri i koronavirusit po përhapet rreth 60 për qind më shpejt se lloji origjinal i virusit dhe frika ilustrohet më së miri nga fakti se Japonia shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në Tokio dy javë para Lojërave Olimpike pa publik, edhe për shkak të përhapjes së llojit të ri.
Portali Business Insider shqyrtoi të gjitha studimet që kanë studiuar efektivitetin e vaksinës kundër llojit të ri dhe doli me të dhëna interesante që tregojnë se fotografia globale nuk është bardh e zi.
STUDIMI BRITANIK: Pfizer 88% efektiv, AstraZeneka 60%
Një studim britanik nga maji tregoi se të vaksinuarit me dy doza Pfizer dhe AstraZeneka ishin “të mbrojtur fuqishëm” nga varianti delta dy javë pasi morën dozën e dytë. Megjithatë, edhe AstraZeneka edhe Pfizer janë 33 për qind të efektshëm me vetëm një dozë.
STUDIMI KANADEZ: Pfizer 87% efektiv, Moderna 72% pas dozës së parë
Një studim kanadez i botuar fundjavën e kaluar zbuloi se dy doza të vaksinës ishin po aq efektive kundër variantit delta, aq sa ishin kundër alfa (e cila ka origjinën në Britani). Ky studim duhet të merret ende me rezervë, pasi nuk i është nënshtruar ende një shqyrtimi të ekspertëve.
Ai gjithashtu tregon se Pfizer është 57% efektiv pas dozës së parë, ndërsa AstraZeneka është 67% efektiv dy javë pas marrjes së dozës së parë, ndërsa Moderna është 72% efektive pas dozës së parë. Studiuesit thonë se nuk kishte mjaft të dhëna për të parë efektivitetin e Moderna dhe AstraZeneka pas dozës së dytë.
STUDIMI ISRAELIT: Pfizer është 64% efektiv pas të dyja dozave
Ministria Izraelite e Shëndetësisë njoftoi të hënën se vaksina Pfizer ishte pak më e dobët në mbrojtjen ndaj variantit delta, sesa kishin sugjeruar të dhënat e mëparshme. Sipas izraelitëve, Pfizer është 64 për qind efektiv pas dy dozave.
STUDIMI SKOCEZ: Vaksina Pfizer efektive 79% pas dozës së dytë, AstraZeneka 60%
Një studim i botuar në Skoci në revistën prestigjioze mjekësore The Lancet thotë se Pfizer siguron mbrojtje “shumë të mirë” kundër variantit delta, e cila është 79 përqind dy javë pas marrjes së dozës së dytë. Në të njëjtat kushte, AstraZeneka mbron 60 përqind, thonë shkencëtarët.
Pse kanë kaq shumë dallim numrat?
Ekspertët shpjegojnë se përqindja e efektivitetit është raporti i njerëzve që janë plotësisht të mbrojtur ndaj atyre që nuk janë – nëse vaksina është 80% efektive, 80 nga 100 të vaksinuar janë plotësisht të sigurt, 20 nuk janë të mbrojtur.
“Gjithnjë e më e vështirë është të matet se sa vaksinat mbrojnë me të vërtetë, sepse është bërë e pamundur të kontrollohet dhe monitorohet se kush vaksinohet dhe kush jo. Gjithashtu ekzistojnë ndryshime në grupet e kontrollit, disa njerëz janë më të prirur ndaj situatave ‘më të rrezikshme’, ndërsa të tjerët janë më të kujdesshëm që të mos ekspozohen ndaj situatave ku mund të ketë një virus”, përfundojnë ata.