Personat e siguruar që përkohësisht qëndrojnë jashtë vendit, në përputhje me Ligjin për Sigurimin Shëndetësor, mund të përdorin vetëm ndihmën mjekësore emergjente. Nën termin kujdes shëndetësor emergjent dhe i domosdoshëm nënkuptohet përdorimi i shërbimeve shëndetësore, ofrimi i të cilave nuk mund të shtyhet deri në kthimin e planifikuar në vend.
Sipas informacioneve nga Fondi i Sigurimit Shëndetësor, këtë të drejtë të siguruarit mund ta përdorin në Gjermani, Austri, Turqi, Kroaci, Slloveni, Serbi, Mal të Zi, Bullgari, Bosnjë dhe Hercegovinë, Republikën Çeke, Holandë, Luksemburg, Sllovaki dhe Shqipëri.
Mirëpo, për të siguruar këtë mundësi, para pushimeve, personat e siguruar nga mjeku amë duhet të marin vërtetim për gjendjen shëndetësore, ndërsa femrat të njëjtin dokument duhet ta marrin edhe nga gjinekologu i tyre. Pas kësaj, ata duhet të aplikojnë në shërbimin e fondit rajonal ku ata jetojnë për sigurim shëndetësor të detyrueshëm dhe të plotësojnë një kërkesë për model dygjuhësor. Kërkesa shqyrtohet nga komisioni mjekësor në shërbimin e fondit dhe e gjithë procedura, sipas legjislacionit, nuk duhet të zgjasë, dmth. duhet të përfundojë jo më vonë se 24 orë. Pasi të marrin modelin dygjuhësorë, personat e siguruar janë të detyruar ta mbajnë me vete dokumentin gjatë udhëtimit. E njëjta procedurë dhe mundësi për ndihmë emergjente mjekësore vlen edhe për qëndrime studimore ose arsim profesional ose shkollim të përkohshëm.
Me këtë dokument, çdo i siguruar merr të njëjtin trajtim dhe shërbime shëndetësore si një i siguruar në vendin ku qëndron.
Nëse si turist nuk e keni këtë dokument me vete, trajtimin jashtë vendit do ta paguani privat.