Terapistja kanadeze Viktoria Prodaj paralajmëron se fëmijët gjithnjë e më shumë vijojnë të jenë të dobët nëpër shkolla dhe janë emocionalisht të paqëndrueshëm për shkak të përdorimit të tepruar të teknologjisë dhe prindërimit “të keq”. Ajo këtë e përshkruan si një trend shqetësues në sjelljen e fëmijëve.
“Gjatë dhjetë viteve të mia si terapiste fëmijësh, kam parë dhe vazhdoj të shoh një rënie në funksionimin social, emocional dhe akademik të fëmijëve. Si dhe rritje të madhe e vështirësive në të mësuarit dhe diagnozave të tjera”, paralajmëron ajo duke shtuar:
“Sot, fëmijët janë në një gjendje katastrofale emocionale dhe shumë gjëra nga mënyra jonë moderne e jetesës shpijnë në këtë. Pavarësisht synimeve tona më të mira, për fat të keq, ne po ua ndryshojmë trurin fëmijëve tanë në drejtimin e gabuar”.
Me qëllim që ti bëjë thirrje prindërve, ajo renditi pesë arsyet, se pse po ndodh kjo, dhe këto janë shprehitë në vijim:
- Fëmijët marrin atë që duan dhe kur duan, urrejnë kur i thuhet “jo”
- Ata kanë ndërveprim social shumë të kufizuar
- Prindërit krijojnë një botë artificiale të argëtimit për fëmijët ku monotonia nuk ekziston
- Fëmijët përdorin shumë teknologjinë, gjë që i shkëputë ata emocionalisht
- Prindërit nuk vendosin kufij të fortë.
Ajo thekson gjithashtu se prindërit mund të bëjnë një ndryshim në jetën e një fëmije duke “trajnuar” trurin e tyre që të funksionojë me sukses në aspektin social, emocional dhe akademik.
Para së gjithash, është vendosja e kufijve, duke marrë parasysh atë që është e mirë për fëmijën dhe jo atë që dëshiron fëmija në një moment të caktuar, duke kufizuar përdorimin e teknologjisë dhe duke u mësuar fëmijëve përgjegjësitë e tyre, të cilat do të jenë një bazë themelore për të ardhmen e tyre.
Përktheu dhe përshtati:S.N