Tinitusi është gjendje e cila mund të jetë simptomë e çrregullimit shëndetësor. Pacienti që vuan nga ky problem, i quajtur ndyshe edhe gjëmimi në veshë, ka ndjesinë sikur dëgjon fishkëllimë, cicërrim, tingëllimë ose tinguj të tjerë. Këto tinguj mund të dëgjohen herë pas here ose vazhdimisht, dhe me zë të ndryshëm. Ato shpesh përforcohen kur zhurma e jashtme zvogëlohet, prandaj duhet ta keni parasysh kur përpiqeni të fleni natën në një dhomë të qetë. Në raste të rralla, tingujt shoqërohen me ritmin e zemrës. Tinitusi shumë shpesh shoqërohet me ankthin.
Vlerësimet e përgjithshme janë se, shtatë për qind e grave dhe burrave, gjatë jetës së tyre vizitojnë mjek për probleme të tilla. Zhurma e fortë në vesh, e cila e dëmton ndjeshëm jetën e njerëzve shfaqet në një në 100 veta.
Simptomat:
- tinguj në vesh, si për shembull: murmurima, fishkëllimë, cicërrim, tingëllimë;
- tingujt shfaqen herë pas here ose janë të përhershme;
- në disa raste ndodh edhe humbja e dëgjimit.
Nëse keni tringëllima në veshë, mund të jetë simptomë e ndonjë çrregullimi shëndetësor, siç është tensioni i lartë i gjakut ose aktivitetiti i zvogëluar i gjëndrës tiroide. Nëse zhurma shoqërohet me dhimbje ose qelb në vesh, atëherë mund të jenë shenja të infeksionit në vesh. Nëse gjendja e tillë shoqërohet me marramendje, atëherë mund të jetë shenjë e sëmundjes së Manierit ose ndonjë çrregullimi neurologjik.
RREZIK FAKTORËT
- krijimi i dyllit në vesh;
- tumor në nervin e dëgjimit;
- daullja e shpuar e veshit;
- ekspozimi ndaj tingujve të fortë;
- ekspozimi ndaj zhurmës së papritur dhe të fortë;
- sëmundja e Manierit;
- çrregullimi i veshit të brendshëm;
- tensioni i lartë i gjakut;
- barnat (aspirina dhe antibiotikët, llogariten si efekte anësore në rreth 200 barna);
- dëmtimi i kërmillit të veshit si rezultat i plakjes;
- aktiviteti i zvogëluar i gjëndrës tiroide;
- sindromi temporomandibular (i nofullës);
- alergjitë;
- anemia;
- stresi.
Tinitusi është gjendje që shkakton ndjesi të pakëndshme dhe probleme me koncentrimin dhe gjumin. Mund të ndikojë në punën dhe në marrëdhëniet personale dhe të shpie në çrregullime psikologjike. Tinitusi në disa raste shkaktohet nga infeksioni ose pengesat në vesh, i cili zhduket pasi të ketë kaluar sëmundja. Por shpesh herë, tinitusi mbetet edhe pas trajtimit të sëmundjes. Në këtë rast, trajtimi konvencional dhe alternativ mund të sjellë lehtësime të mëdha, duke lehtësuar ose heshtur tingujt e padëshiruar.