UDHËZUES – SI TË JA DILNI ME POSTCOVID-in: Simptomat, këshillat dhe rekomandimet më të zakonshme

Shumica e pacientëve të infektuar me koronavirus shërohen nga sëmundja pas dy deri në gjashtë javë, ndërsa hulumtimet tregojnë se midis 10 dhe 30 për qind e njerëzve që i mbijetojnë infeksionit kanë një nga më shumë se 200 simptomat e post-Covid.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e përkufizon një situatë kaq kritike si COVID-19 i nxitur, COVID-19 i zgjatur ose afatgjatë (long covid). Është një sëmundje shumësistemike që mund të zgjasë nga dy deri në gjashtë muaj, por në disa pacientë gati një vit.

Specialisti i sëmundjeve respiratore, Prim. Dr. Sllavica Plavshiq nga Serbia thotë se ende nuk dihet se sa është numri i të sëmurëve me post COVID-19 kudo në botë.

“Nuk ka asnjë regjistër të pacientëve të tillë, as institucione të specializuara për trajtimin e tyre, të paktën jo në rajon. Rastet trajtohen individualisht. Natyrisht, pasoja shumë më të rënda mbeten te ata pacientë që kishin forma më të rënda të sëmundjes, të cilët trajtoheshin në spital, e sidomos te ata që ishin në respirator”, theksoi Dr. Pllavshiq.

Megjithatë, pacientët që kishin formë shumë të lehtë të sëmundjes mund të kenë edhe sindromën post-covid, e veçanërisht shqetësuese është fakti se ajo mund të shfaqet edhe te fëmijët, shton mjekja.

“Nuk ka asnjë sistem të vetëm organesh që nuk mund të preket nga simptomat post-covid. Disa qëndrojnë për një kohë të gjatë, janë intensive dhe mund të dëmtojnë ndjeshëm cilësinë e jetës së pacientit. Nuk dihet pse shërimi i disa njerëzve zgjatet, ndërsa arsyet mund të jenë ekspozimi afatgjatë dhe i përsëritur ndaj viremisë (prania e virusit në gjak), si dhe përgjigje e dobët imunitare”, thekson Dr. Pllavshiq.

Më shpesh, shfaqen simptoma të përgjithshme, të cilat mund të zgjasin me muaj: rraskapitje dhe lodhje kronike që ndodh edhe pas përpjekjes më të vogël fizike, e ashtuquajtura sindroma e lodhjes kronike. Ka gjithashtu rritje të temperaturës së trupit, humbje të nuhatjes dhe shijes, dëmtim të dëgjimit, rënie të flokëve, ndjesi të dhimbshme të ndryshme, skuqje të ndryshme të lëkurës dhe të ngjashme.

Problemet më të mëdha shfaqen në sistemin respirator, kardiovaskular dhe nervor qendror. Disa nga simptomat dhe shenjat klinike më të rëndësishme të gjendjes post-covid janë si më poshtë:

  • Sistemi respirator

Kollë, lodhje e shpejtë, dhimbje gjoksi, reduktim i kapacitetit të mushkërive, fibrozë pulmonare.

  • Sistemi kardiovaskular

Aritmi, palpitacione dhe tahikardi, presion i lartë i gjakut, rrjedhje perikardiale, insuficiencë kardiake, miokardiopati, miokarditi, sëmundje koronare.

  • Sistemi neurologjik dhe skeleto-muskulor

Dhimbje të vazhdueshme në muskujve, eshtrave, nyjeve dhe shpinës, dhimbje koke, marramendje me humbje të mundshme të vetëdijes dhe si ndërlikimi më serioz që mund të ndodhë incident cerebrovaskular (sulm në tru) për shkak të dëmtimit dhe trombozës së mëvonshme të enëve të gjakut.

Shpesh vjen deri te inflamacioni i indeve rreth shtyllës kurrizore, që është shumë e dhimbshme dhe çon në dhimbje koke të forta dhe marramendje.

  • Çrregullime endokrinologjike dhe metabolike

Hiperglikemia dhe kontrolli më i vështirë i diabetit, çrregullime në funksionimin e gjëndrës tiroide, funksion i dëmtuar i mëlçisë, reduktim i funksionit të veshkave, ankesa gastrointestinale.

  • Çrregullime psikologjike

Humbje afatshkurtër e kujtesës – pamundësi për të mbajtur mend disa fjali, vështirësi në gjetjen e fjalëve, humbje të përqendrimit, probleme në të mësuarit, ankth, depresion, probleme me gjumin dhe frikë, sindromë post-traumatike, sulme paniku.

Shfaqja e të ashtuquajturës “mjegulla e trurit” shkakton shqetësim dhe frikë të veçantë tek pacientët post COVID. Është gjendje që pacientët e përshkruajnë si konfuzion dhe çorientim të plotë. Supozohet se ka pushtim të drejtpërdrejtë të trurit nga virusi, inflamacion dhe dëmtim vaskular me hipoksi sekondar të indit të trurit për shkak të furnizimit të reduktuar të oksigjenit.

KËSHILLA DHE REKOMANDIME

  • Të bëhen kontrolle të rregullta (laboratorike, veçanërisht kontrolli i D-dimerëve, radiografi të mushkërive, EKG dhe eko të zemrës).
  • Merrni vitamina që përmirësojnë statusin imunitar: C, D, zink, selen.
  • Kompleksi i vitaminës B i kombinuar me magnez është i dobishëm për ata që kanë probleme neurologjike dhe psikologjike dhe “mjegullën e trurit”.
  • Merrni acid acetilsalicilik në mënyrë parandaluese për të paktën një muaj.
  • Merrni probiotikë.
  • Shëtitjet e lehta pas 10-15 ditësh, kurse aktiviteti fizik këshillohet vetëm pas disa javësh.
  • Ushtrime të frymëmarrjes – rehabilitimi respirator