Varianti delta i koronavirusit, i cili po bëhet gjithnjë e më i përhapur në Britaninë e Madhe, ka më pak gjasa të shkaktojë simptoma të COVID-19 tek njerëzit e infektuar, sipas një studimi nga Imperial College London, i publikuar së fundmi.
U zbulua se vetëm një e treta e të infektuarve me variantin delta plus i njohur si “AY.4.2” zhvilluan simptoma klasike të COVID-19, ndërsa në variantin origjinal delta (AY.4), pothuajse gjysma e të anketuarve kishin simptoma.
Tek njerëzit e infektuar me variantin delta plus, dy të tretat zhvilluan ndonjë simptomë të COVID-19, ndërsa tek ata të infektuar me variantin delta, tre të katërtat kishin të paktën një simptomë të sëmundjes.
Nënlloji i variantit delta është treguar të jetë pak më i lehtë për t’u transmetuar, por nuk është treguar se shkakton forma të rënda të sëmundjes ose vaksinat janë më pak efektive kundër tij.
“Është zbuluar se varianti delta plus është pak më i lehtë për t’u transmetuar, por edhe më pak simptomatik, gjë që është e mirë”, informon epidemiologu Paul Eliot.
Kolegji Imperial ka publikuar tashmë rezultate të pjesshme të hulumtimit që tregoi se kulmi i përhapjes së këtij versioni të virusit ishte në tetor dhe se më të infektuarit ishin fëmijët. Rezultatet e plota të hulumtimit të kryer në periudhën nga 19 tetori deri më 5 nëntor konfirmuan atë që treguan rezultatet ditore – një rënie e numrit ditor të të infektuarve u shoqërua me pushimet shkollore në fund të tetorit.
Hulumtimet kanë treguar gjithashtu se e ashtuquajtura doza “përforcuese” e vaksinës ul rrezikun e infeksionit tek të rriturit me dy të tretat në krahasim me njerëzit që morën dy doza.