Shkruan: Vedrana Duçkiq
Nutricioniste
Merrni vendime të shëndosha dhe filloni me zakonet e shëndosha që sot. Ndryshimi i mënyrës së të ushqyerit dhe adoptimi i zakoneve të shëndetshme të ushqimit është veçanërisht i rëndësishëm dhe është thelbësor në kujdesin shëndetësor.
Parimi bazë i mënyrës së shëndetshme të të ushqyerit është të keni vakte të rregullta, të jeni të moderuar dhe të theksohet cilësia e ushqimeve që konsumoni.
A E DINI SE ÇFARË HANI?
E rëndësishme është të dimë se çfarë dhe sa hamë, cilat janë ato lëndë ushqyese që e ndërtojnë trupin tonë, e ruajnë imunitetin, veprojnë në mënyrë të favorshme ndaj të gjitha sistemeve në trup, si dhe e rregullojnë metabolizmin dhe sjellin trupin në gjendje ekuilibri.
Mënyra e shëndetshme e të ushqyerit nënkupton marrjen e të gjitha llojeve të ushqimit, marrjen e shumëllojshmërisë së frutave dhe perimeve sezonale, bishtajoret, drithërat me kokrra të plota, frutat e thatë dhe farat, peshkun, vezët, mishin e shpendëve, vajrat bimorë dhe produktet e qumështit me pak yndyrë.
Moderimi rekomandohet në konsumin e mishit të kuq, yndyrën e kafshëve dhe produktet e mishit, produktet e qumështit me yndyrë të plotë dhe të gjitha ushqimet e rafinuara dhe produktet e ëmbla.
Konsumoni ushqime të pasura me antioksidantë, vitamina dhe minerale, fibra dietike dhe sigurohuni që të konsumoni mjaftueshëm lëngje.
Nëse jeni mbipeshë ose vuani nga ndonjë sëmundje kronike, ndjekja e një plani dietik të përshtatur individualisht dhe zvogëlimi i peshës së tepërt, në mënyrë të garantuar do të përmirësojë shëndetin tuaj.
SHPËTONI NGA KILOGRAMËT E TEPËRT DHE NDALONI PIRJEN E DUHANIT!
Humbja e peshës do të ndihmojë në rregullimin e presionit të gjakut, uljen e LDL kolesterolit dhe triglicerideve në gjak, do të ndihmojë në rregullimin e sheqerit në gjak dhe do të rrisë nivelin e energjisë dhe cilësinë e jetës. Kjo do të thotë që vendimi për të humbur peshë mund të jetë hapi i parë ndaj kujdesit shëndetësor.
Ndaloni pirjen e duhanit, shmangni konsumimin e tepërt të alkoolit, marrjen e ushqimit me shumë kripë, zgjidhni me kujdes mënyrën e përgatitjes së ushqimit dhe shmangni skuqjen ose fërgesat. Hiqni të gjitha ushqimet me yndyrë dhe të ëmbla nga menyja e përditshme. Planifikoni dhe mos i anashkaloni vaktet, hani detyrimisht mëngjesin, merrni me vete në punë vaktin e drekës ose një meze të lehtë të shëndetshme.
Bleni artikuj ushqimorë që kanë cilësi të kontrolluar, sipas mundësisë ushqime shtëpie dhe ushqim të freskët sezonal nga mjedisi ekologjik. Lëvizni sa më shumë, sepse aktiviteti fizik shpejton metabolizmin dhe ndihmon në rregullimin e masës trupore.