Venat e zgjeruara janë gjendje që shfaqet tek 25% e femrave dhe 10% e meshkujve dhe paraqet një problem jo vetëm për pacientin por një problem serioz shëndetësor dhe social përshkak pasojave që mund të sjellë.
Simptomat që shfaqen gjatë gjendjes së venave të zgjeruara janë: ndjenja e tensionit, ngarkesë, kruarje në lëkurë dhe nganjëherë dhimbje në këmbë. Ekzaminimi zbulon venat e dukshme, të zgjeruara mbi sipërfaqen e lëkurës, ënjtje e butë rreth kyçeve, me kalimin e kohës shfaqet ngjyrosja e kyçeve në ngjyrë kafe, ndërsa në rastet e rënda shfaqen plagë në lëkurën e gjymtyrëve.
Pse shfaqen venat e zgjeruara?
Zemra paraqet pompë që shtyn gjakun përmes arterieve në të gjitha indet në trup, ndërsa gjaku transmeton oksigjen dhe lëndë ushqyese në qeliza. Aorta si arteria më e madhe ndahet në enë të vogla dhe më të vogla të gjakut dhe në fund rrjeti i enëve të gjakut në trup përfundon me arteriole dhe kapilarë. Kur gjaku kthehet, ai kalon nëpër vena, nga më të voglat – venula, e deri tek venat më të mëdha për të hyrë në zemër. Në venat normale ekzistojnë valvula të cilat hapen si ventil në drejtim të rrjedhës së gjakut dhe nuk lejojnë që gjaku të kthehet, përkundrazi, ndihmon nga tkurrja e muskujve rreth tyre dhe e mirëmbajnë qarkullimin drejt zemrës. Në venat e zgjeruara, këto valvula nuk e kryejnë mirë funksionin e tyre dhe lejojnë që gjaku të mbetet në venë dhe të shkaktojë zgjerim, i cili zakonisht i referohet venave në këmbë. Kjo gjendje është më e zakonshme tek femrat dhe është veçanërisht e theksuar tek valvulat e dobëta të lindura, por shpesh shfaqen edhe gjatë shtatzënisë, inflamacioni i venave, qëndrimi gjatë në këmbë dhe presion i rritur në zgavrën e barkut.
Diagnostifikimi i gjendjes së venave të zgjeruara kryesisht bazohet në dukjen e venave gjatë qëndrimit në këmbë ose në pozicionin ulur. Nëse është e nevojshme mund të bëhet ultrasonografi dupleks të gjymtyrëve për të parë qarkullimin e gjakut në venat, me qëllim që të përjashtohen sëmundjet tjera të këmbëve, si tromboza venoze.
Terapia për këtë gjendje zakonisht u referohet këshillave. Pacienti duhet të shmangë të qëndruarit shumë gjatë në këmbë, t’i pushoj këmbët duke i vendosur në një pozicion horizontal, ndërsa shpesh t’i vesh çorapet elastike. Terapia kirurgjikale ose ndonjë tjetër kryhet në rastet kur ka dhimbje në këmbë, zakonisht e shprehur si ngarkesë ose lodhje, në paraqitjen e plagëve të lëkurës të shkaktuara nga tensioni i lartë i gjakut dhe mungesa e ushqyerjes së indeve, kur pamja e jashtme duhet të korrigjohet, si dhe kur ka lipodermatosclerosis, dmth vjen deri te trashja graduale e indit dhjamor nën lëkurë si pasojë e presionit të lartë në venat. Stripingu venoz paraqet operacion kirurgjikal, i cili paraqet heqjen, ose më mirë ekstraktimin e venës së zgjeruar.
Inflamacioni kronik i venave ose flebitit mund të shkaktojë komplikacione serioze për shëndetin. Mund të vijë deri te shfaqja e plagëve të lëkurës dhe ulçerat, të cilat shfaqen si pasojë e stagnimit të gjakut në vena dhe reduktimin e ushqyerjes së lëkurës. Gjithashtu, në rast të komplikimeve vjen deri te spërkatja dhe gjakderdhja nënlëkurë nga ena venoze e gjakut, spontanisht ose gjatë lëndimeve më të vogla. Pacienti shpesh e vëren këtë si një dukuri të zakonshme të mavijosjeve.