Gratë që kanë pasur abort spontan kanë më shumë gjasa që të mbeten shtatzënë, nëse kanë nivel e duhur të vitaminës D, tregoi studim i ri i cili u realizua në 1 200 gra me një histori abortesh spontane. Rezultatet e studimit treguan se vitamina D ka rol mbrojtës në shtatzani.
Përndryshe, studimet e mëparshme kanë treguar se fertilizimi in vitro (IVF) është më i suksesshëm tek gratë me nivel të lartë të vitaminës D.
Ky hulumtim tregoi se gratë me nivel të mjaftueshëm të vitaminës D, 30 ng/ml ose më shumë, kanë 10% më shumë gjasa që të mbesin shtatzënë dhe 15% më shumë gjasa që të lindin foshnje të gjallë, sesa gratë me nivel të ulët të vitaminës D.
Në mesin e grave që kanë mbetur shtatzënë, çdo rritje e nivelit të vitaminës D për 10 ng/ml para ngjizjes, u shoqërua me rrezik më të ulët të abortit për 12%.
Sipas ekspertëve, nevojiten kërkime shtesë për të përcaktuar nëse shtesat e vitaminës D mund të zvogëlojnë rrezikun e abortit spontan të shtatzanisë tek gratë me rrezik të lartë të abortit, citon “The Lancet Diabetes & Endocrinology“.