Kur duam të humbim peshë një nga hapat e parë zakonisht i referohet reduktimit apo edhe përjashtimit të yndyrës nga ushqimi. Megjithatë, përderisa lloje të caktuara të yndyrës duhet të shmangen, disa yndyrna të tjera të shëndetshme mund të ndihmojnë në procesin e humbjes së peshës.
Bëhet fjalë për acidet yndyrore omega-3 të cilat gjenden tek peshku i detit (salmon, skumbri, ton), farat e lirit, arrat dhe vaji i arrave, si dhe acide yndyrore omega-9 të cilat gjenden tek ullinjtë dhe vaji i ullirit, avokadoja… Këto yndyrna jo vetëm që e përshpejtojnë metabolizmin, por ndihmojnë dhe që flejnë më mirë, e përmirësojnë gjendjen shpirtërore, e forcojnë imunitetin dhe stimulojnë shëndetin e lëkurës dhe flokëve.
Nga ana tjetër, acidet yndyrore omega-6 që gjenden në vajin e sojës, lulediellit dhe vajin e misrit duhet që të kufizohen, si dhe yndyrnat e ngopura që gjenden tek mishi, djathi, gjalpi, qumështi me yndyrë të plotë dhe produktet e qumështit.
Dhe së fundi, yndyrat e hidrogjenizuara dhe trans yndyrat duhet të shmanget (ose të përjashtohen plotësisht nga të ushqyerit), këto yndyrna gjenden në margarinë, salcat, biskotat e ëmbla dhe të kripura, ëmbëlsirat, tortat dhe ushqimi i shpejtë.